Parlamenti europian do të votojë sot mbi ndalimin e përdorimit të substancave konservuese në mishin e ngrirë për hell vertikal. Konkretisht propozohet ndalimi i fosfateve te mishi i përdorur për kebab apo sufllaqe.
Pala propozuese mbron argumentin se fosfatet mund të jenë përgjegjëse për rreziqe kardiovaskulare. Fillimisht në komisionin europarlamentar kjo masë kaloi pa asnjë kundërshtim, ndërsa pas përhapjes së lajmit nisi edhe rezistenca ndaj ndalimit. Kundërshtarët argumentojnë se fosfatet e mbajnë mishin më të shijshëm dhe të freskët dhe se e njëjta sasi fosfati gjendet edhe në 1.5 litër pije me gaz.
Në Gjermani, i cili është edhe vendi me përdorimin më të madh të mishit të kebabit në Europë, masën e shohin si një kërcënim për industrinë e ushqimeve të shpejta. Shoqata gjermane e prodhuesve të doner kebab është shprehur se një miratim nga parlamenti europian, do të ishte vendim me vdekje për të gjithë industrinë e kebabit në Bashkimin Europian.
Për shkak të vendndodhjes, nga ky ndalim do të prekej edhe Shqipëri. Edhe pse teknikisht mishi me konservues do të lejohej të hynte në vend, ai do të ishte më i vështirë për t’u gjetur dhe rrjedhimisht më i shtrenjtë.
Furnizues kryesor për Shqipërinë do të mbeteshin vetëm vendet jashtë BE, si Turqia, ose vendi do të detyrohej të importonte të njëjtin produkt që do të përdoret edhe në union.
Në të dyja rastet, sufllaqet në Shqipëri ose do të kushtojnë më tepër, ose do të kenë më pak shije, çka nënkupton rrezik për bizneset.
Komisioni Europian dërgoi një propozim për lejimin e fosfateve në disa lloje mishrash, pra një përjashtim nga masa e komisionit europarlamentar. Një veprim i tillë ka marrë mbështetjen e një sërë delegatësh shtetëror.
Përjashtime nga ky rregull janë bërë edhe në të kaluarën, duke lejuar konservantët në produkte si salçiçet, mishi për hamburger me një minimum perimesh apo drithërash, si edhe tek proshuta gri e tymosur finlandeze./Scan
ma.me