Shpend Ahmeti, i cili orët e fundit u certifikua nga KQZ si kryetar i Komunës së Prishtinës, ka dhënë dorëheqje nga posti i anëtarit të asamblesë në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Këtë vendim e ka marrë KQZ me kërkesë të vetë Ahmetit dhe i njëjti zëvendësohet nga asamblisti i radhës i Vetëvendosjes, Mirsad Vitia.
“KQZ, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës të dorëzuara në KQZ më datën 11.12.2017, për zëvendësimin e anëtarit të Kuvendit z. Shpend Ahmeti, pas dorëheqjes së tij të parevokueshme nga pozita e anëtarit të Kuvendit të Komunës, për arsye se i njëjti është zgjedhur Kryetar Komune në Prishtinë”, thuhet në vendimin e KQZ-së, raporton Koha.net.
Po ashtu, edhe kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i anëtarit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, dhe i njëjti është zëvendësuar nga asamblisti i po kësaj partie, Mustafa Krasniqi. (b.an)