Të jesh parimor nuk është lehtë në politikë, sepse – veçanërisht në viset tona – politika është një sinonim i lojërave të ndyra.
Do të shihet shumë shpejt nëse VV do të jetë në gjendje të arsyetojë besimin e marrë sivjet në zgjedhje (partia më e madhe individuale në vend, fituese e zgjedhjeve në Prishtinë, Prizren e Kamenicë) apo do të bëhet pjesë «normalitetit jonormal politik».
Pyetja më vendimtare është kjo: a do të mësojë opinioni se për çka po grinden këta burra e gra? Për parime, ideologji, para?
Nga Enver Robelli
Mund të bëhet temë e rëndësishme kjo zënkë nëse krerët e VV-së braktisin idealet për të cilat janë bashkuar dhe për të cilat kanë marrë besimin e qindra-mijëra qytetarëve. Ideali ka qenë: ndërtimi i një Kosove si shtet funksional. Që kjo të bëhet VV nuk ka nevojë as për komisarë politikë, as për intrigantë, as për të tillë që «pinë duhan tinëz», as për dallaveraxhi që nuhatin paranë dhe harrojnë për çfarë kanë hyrë në politikë. Si për çdo parti, edhe për VV-në vlen: keqpërdorimi i besimit të qytetarëve dhe harxhimi i energjisë për kurthe si dhe hedhja në gropë e njëri-tjetrit herët apo vonë ndëshkohen.
Nga një parti që ka fituar mijëra e mijëra vota për shkak se ka treguar se është ndryshe nga partitë e garniturës aktuale në pushtet, qytetarët e Kosovës presin më shumë – larg më shumë se fjalë të pamatura në viber, larg më shumë se mobilizim brigadash të Facebookut për llomotitje, larg më shumë se telegrame nga distanca të atyre që lirinë, pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës e shohin si diçka të përkohshme dhe politikën duan ta zbresin në nivel të folklorit të shoqëruar me ndonjë citat filozofik.
Nga qorrsokaku i himnizimeve dhe mallkimeve të figurave të caktuara, VV (dhe çdo parti tjetër) duhet të dalë në rrafshin e ballafaqimit të ideve. Idetë janë më të rëndësishme se përfitimet e çastit. Dhe pastaj, kudo, qoftë edhe në kuvende partiake, le të maten idetë e programet. Në këtë mes një gjë duhet të jetë e qartë: kush fiton besimin, duhet të pranohet e respektohet nga anëtarësia dhe funksionarët e lartë. Në atë çast që vizioni i tij politik nuk ka sukses, duhet të jepet përgjegjësi – qoftë ai apo ajo kryetare, nënkryetare apo sekretar organizativ.
Frenimi i egove nuk ka qenë kurrë shkathtësi e politikanëve shqiptarë. Në të vërtetë nuk është shkathtësi e shumicës së shqiptarëve. Ajo barsoleta se po i the shqiptarit «a di të drejtosh avionin», ai do të përgjigjet «hajt nisma pak» – e shpjegon në mënyrë brutale mentalitetin tonë. Me rritjen e suksesit të VV-së, me sa duket, është rritur edhe numri i pilotëve. Këtu nuk ka asgjë të keqe për aq sa beteja sillet rreth programit, ideve dhe vizionit. Siç e kemi parë në çerekshekullin e fundit, kur demokracia shumëpartiake erdhi te shqiptarët, shumica e partive politike janë çarë e përçarë jo për ndonjë ide, por për shkak të ambicieve të pafrenueshme të funksionarëve. Në atë çast që një grup ka pësuar disfatë brenda partisë, ai e ka hedhur anash krejt trashëgiminë politike dhe ka tentuar të themelojë një parti të veten. Pastaj, në kuadër të saltove politike, këto parti kanë kaluar madje edhe në taborin e krahut tjetër. Ka mjaft shembuj nga Shqipëria, kur ata që hynë në politikë si kundërshtarë të komunizmit u bënë bashkë me partinë pasardhëse të Partisë së Punës (PP) – ose e kundërta: shërbëtorët e PP-së u shndërruan në «demokratë» të sertë.
Të jesh parimor nuk është lehtë në politikë, sepse – veçanërisht në viset tona – politika është një sinonim i lojërave të ndyra. Do të shihet shumë shpejt nëse VV do të jetë në gjendje të arsyetojë besimin e marrë sivjet në zgjedhje (partia më e madhe individuale në vend, fituese e zgjedhjeve në Prishtinë, Prishtinë e Kamenicë) apo do të bëhet pjesë «normalitetit jonormal politik». Pyetja më vendimtare është kjo: a do të mësojë opinioni se për çka po grinden këta burra e gra? Për parime, ideologji, para?