Monumenti i diskutuar i prijësit të studentëve të dhjetorit ’90. 35 vite, 6 muaj e 12 ditë me maja e humnera, dritë e hije, lavdi e thyerje. Një biografi e përkryer heroi, prijës i studentëve, disident i partisë së tij dhe pastaj i vrarë.
Ku ndahet figura e heroit me atë të njeriut të zakonshëm… Dyshimet e Mustafa Nanos për ekzistencën e këtij heroi. Pse e besdisin analistin këto shtatore të Azem Hajdarit dhe kundërshtia e bashkëpunëtorëve e miqve të Azemit.
Nga Luljeta Progni
*Ky shkrim u publikua nga revista Mapo, e cila gjendet tashmë në treg. Materialin e plotë dhe shumë shkrime interesante i gjeni në versionin print
Ishte i pari ndër ata që rrëzuan buste, shembën idhuj e mite, që shtynë drejt greminës diktaturën komuniste. Ishte Azem Hajdari, lideri i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ‘90. Por a do të ishte dakord ai vetë, që për të të ngrihen të tilla përmendore si ajo e Tropojës apo shtatore të tjera të ngjashme?
Azem Hajdari nuk jeton prej 12 shtatorit të vitit 1998, kur u vra në një atentat në oborrin e Partisë Demokratike. Jetoi si hero për tetë vite, e deshi atë status dhe u përpoq vazhdimisht ta rriste heroin rreth vetes së tij. Sa herë kërcënohej, dhe kjo i ndodhte shpesh, shfaqej si heroi i natës së tetë dhjetorit ‘90. Ishte arma e tij më e fuqishme për t’u mbrojtur. Kështu thonë bashkëkohësit e bashkëpunëtorët e tij të ngushtë. Ishte kundërshtar i fortë i së majtës, por gjithashtu i papranuar nga PD. U desh momenti final, vrasja e tij (që për PD ishte politike), për ta kthyer në një hero e për të mbetur si i tillë në histori.
Ajo që pranohet nga të gjithë është fakti se Azem Hajdari ishte lideri i dhjetorit 1990, prijësi i studentëve që rrëzuan diktaturën komuniste bashkë me bustet e diktatorit Enver Hoxha. Mbetet heroi i studentëve të dhjetorit dhe për ta është i paprekshëm si i tillë. Por a do të vazhdonte të ishte kështu nëse nuk do të vritej?
Për një njëri që largohet nga kjo botë, ka më shumë lavde se sa kritika, madje në një mënyrë histerike miq e armiq nuk i kursejnë lavdet për të. Kjo zgjat për pak ditë, ndoshta edhe për pak javë. Për Azem Hajdarin ndryshon tradita.
Emri dhe historia e tij thirren në skenën e kujtesës shpesh dhe jo vetëm kur ka përvjetorë. Kthehet në kujtesë sa herë ka nevojë Partia Demokratike, figura politike të të majtës e të të djathtës, apo edhe në rastin konkret kur një analist kërkon ta çmitizojë atë apo kërkon të tërheqë vëmendje e të shkaktojë debat. Është Mustafa Nano, analisti që ka guxuar të cenojë mitin prej heroi që e rrethon këtë personazh të historisë së dhjetorit ‘90. Ai thotë se Azem Hajdari nuk ishte hero, por se Berisha e PD “e shpikën” si të tillë.
Heroi që (s)ka ekzistuar
Si çdo njeri i gjallë, kur ishte në jetë, Azem Hajdari me siguri kishte huqet e veta. Kishte ndoshta vese që mund t’i ketë parë nga afër edhe analisti Mustafa Nano. Mund t’ia njohin për të vërteta edhe të tjerë. Nuk janë veset e Azem Hajdarit prej njeriu të zakonshëm problem që e shtyn analistin Nano ta kontestojë përmendoren e Azem Hajdarit. Duket se janë disa vlera që sipas tij, Azem Hajdari nuk i pati. “Azem Hajdari ishte një njeri i zakonshëm. Shumë i zakonshëm. Me prerje e poza prej të forti. Me IQ (nivel inteligjence) të ulët”. Thotë se e kishte pasur mik për së gjalli e se kishte kaluar kohë të bukura me të. Por sipas tij, po kërkon të rrëfejë një të vërtetë që brezat duhet ta dinë: Azem Hajdari që na servir Berisha, nuk ka ekzistuar kurrë.
Ky konstatim i Mustafa Nanos mund të jetë një përpjekje e thjeshtë për të shkaktuar debat, por mund të jetë edhe më shumë se kaq: çmitizimi i Azemit dhe bashkë me të edhe i dhjetorit ‘90. A ka nevoje ai moment historik e ato personazhe për t’u çmitizuar? Ndoshta po, dhe Mustafa Nano po përpiqet të na thotë pikërisht këtë, nevojën për çmitizim e në fund të fundit, një hierarki në vendosje përmendoresh për heronj. E shohim në një reagim të Mustafa Nanos për revistën Mapo, ku ai shpjegon arsyet pse e bezdisin këto shtatore të Azem Hajdarit.
“Ka disa arsye. Së pari, këtë bezdi ma krijojnë këta që e nderojnë sot Azem Hajdarin, të cilët janë po ata që nuk kanë lënë baltë pa hedhur mbi të. Janë këta që e kanë turpëruar publikisht figurën e Hajdarit. Madje, jam shumë i sigurt se unë e respektoj Azemin më shumë se këta. Sepse unë kurrë nuk e kam fyer Azemin. Ndërsa Berisha nuk ka lënë gjë pa thënë. Dhe sot del dhe e bën “personalitetin më të jashtëzakonshëm në historinë e kombit”.
Së dyti, edhe sikur asnjë prej gjërave që janë thënë në adresë të Azem Hajdarit prej këtyre që sot e nderojnë, të mos jetë e vërtetë, edhe sikur të lëmë mënjanë natyrën kontroverse të figurës së tij, prapëseprapë ai nuk është nga ata që meritojnë shtatore njëra pas tjetrës.
Sepse kështu kemi ardhur në pikën që Azem Hajdari është njeriu më i nderuar në këtë vend. Janë tre shtatore që janë ngritur në nderim të tij, një në qytetin Studenti, një në Tropojë, e një në Lazarat (kaq di unë; mund të ketë edhe të tjera). Nuk ka asnjë personalitet tjetër kombëtar, përveç Skënderbeut, që të jetë nderuar në bronz kaq shumë. Mirëpo ky është një nonsens.
Dhe vetë fansat e Azem Hajdarit e dinë këtë gjë. Edhe vetë fansave të Azemit iu duket se po teprohet. Edhe ata nuk kanë se si të bien dakord që Azemi të ketë disa shtatore dhe, fjala vjen, Shtjefën Gjeçovi, të mos ketë asnjë”, shpjegon Mustafa Nano.
Ajo që kundërshtohet nga bashkëkohësit dhe miqtë e Azem Hajdarit, është tendenca e Mustafa Nanos për ta analizuar figurën e Azem Handarit më shumë si një njeri të zakonshëm, duke lënë në hije të pazakontën e tij, veprën politike që la pas. Por tetë vitet e fundit të jetës së Azem Hajdarit nuk janë ditë prej një njeriu të zakonshëm. Ai është protagonist kryesor në ngjarje si ajo e 8 dhjetorit 1990 dhe rrëzimin e diktaturës komuniste dhe më pas shumë të tjera që ndikuan të ardhmen e tranzicionit shqiptar.
Bashkëkohësi i tij, Preç Zogaj, e kundërshton Mustafa Nanon pikërisht në këtë pikë. Azem Hajdari ishte një njeri i zakonshëm si gjithë të tjerët me vese e cene, por gjithë të tjerët nuk janë si Azemi në aktet me vlerë publike që ai ka kryer. Këtu ndahet figura e heroit me atë të njeriut të zakonshëm dhe vrasja e tij, sipas Preç Zogajt, ishte thjesht e vonuar. Zogaj i sugjeron Mustafa Nanos të thellohet te figura e Azemit dhe atje do ta gjejë heroin që tenton ta mohojë si të tillë.
“Azemi ishte gjithnjë kundër purgave dhe sektarizmit në parti. Ai ka paguar tributin e tij për këtë. Vrasja e tij është nga ato vrasje ku motivet e dobëta përzihen qëllimshëm me motivet politike. Mjaft të themi se shumë autoritete që kishin detyrë dhe mundësi të shmangnin vrasjen e udhëheqësit të lëvizjes së dhjetorit ulën sytë, e lanë të ndodhte.
Shqipëria është në fakt vendi i vetëm ish-komunist i Europës, të cilit i është vrarë lideri i lëvizjes demokratike. Për llogaritë e regjimit, kjo ka qenë thjesht një vrasje e vonuar, që nuk u bë dot në fillim për shumë arsye, ku vendin e parë e zë koniunktura politike. Mustafa Nano mund të mos jetë thelluar ndonjëherë rreth figurës së Azemit dhe ngjarjeve ku ka lënë shenjën e tij të pashlyeshme ky personazh i rrallë”, shkruan Zogaj.
“35 vite, 6 muaj e 12 ditë me maja e humnera, dritë e hije, lavdi e thyerje”
Përkundrejt mendimit të Mustafa Nanos, ka të tjerë, bashkëkohës, analistë e politikanë që kanë jetuar ditë të rëndësishme me Azem Hajdarin, asokohe kur shkruhej historia e dhjetorit ‘90 e çfarë e pasoi atë ngjarje. Është një prej bashkëkohësve të tij në lëvizjen studentore, Bislim Ahmetaj, i cili zgjedh t’i përgjigjet debatit të Mustafa Nanos me një përshkrim të Azem Hajdarit edhe si njeri.
“Pati një jetë të pasur, me maja dhe me humnera, me dritë dhe me hije, me lavdi dhe me thyerje dhe jeta e tij zgjati vetëm 35 vite, 6 muaj dhe 12 ditë?! E kam njohur nga afër në arritje dhe në “dështime” deri natën fatale kur plumbat e armëve të policisë së shtetit e ndanë fizikisht prej atyre që e çmuan dhe e anatemuan për së gjalli dhe më pas për së vdekuri”, shkruan Ahmetaj për revistën Mapo.
Si bashkëkohës, bashkëpunëtor në Lëvizjen e Dhjetorit dhe si mik i ngushtë i Azem Hajdarit, Bislim Ahmetaj, iu kundërvihet dyshimeve që kërkon të hedhë Mustafa Nano, me vlerat e Azemit në disa dimensione. Kërkon t’ia qasë figurën e Hajdarit si njeri që e deshi lirinë e shtypit, si për ta vënë analistin dyshues në “borxh” me Azemin që nuk jeton më.
“Azemi nuk njihet si ndonjë editorialist apo gazetar i spikatur, por njihet prej gjithë bashkëkohësve të tij “pro dhe kundër” që sot janë “mbretërit” e medias së shkruar dhe elektronike si avokati dhe mbrojtësi i tyre më konsekuentë në kohën kur rinisi “censura” ndaj shtypit.Besoj ju kujtohet kur Azem Hajdari bëhej Kryetar i Këshillit Botues të gazetës Koha Jonë për t’u bërë mburojë e shtypit të lirë. Besoj ju kujtohet kur bëhej iniciator dhe mbështetës i themelimit të televizionit të parë privat në Shqipëri SHIJAK TV. Gjithkujt i kujtohet ngujimi i Azem Hajdarit në grevë urie në një fugon para Televizionit Shqiptar në ‘98 kur ky TV ishte shndërruar në zëdhënës të krimit dhe të bandave që qeverisnin Shqipërinë”.
Mustafa Nano e ka shpjegimin e tij. Ai thotë se ishte një kritikë që u provokua nga shtatorja që Azem Hajdarit ia ngritën në Tropojë. “Nga fjalimet që u mbajtën me atë rast, të cilat ishin krejt të fryra e shpërpjesëtimuara. Ishin fyese për të gjithë ata që dinë ta nderojnë historinë e vendit të tyre. Në rrethana të tjera, ndoshta nuk do ta bëja këtë kritikë. Lëri të tjerat, por edhe e kam njohur personalisht Azemin. Dhe kam pasur një marrëdhënie të mirë e të relaksuar me të. Në këtë kuptim kam edhe një ndjesi të lehtë faji. Mirëpo, kjo që po bëjnë me Azem Hajdarin nuk mund të më lërë indiferent. I dëgjuat fjalimet që u mbajtën në Tropojë? Këta njerëz janë duke krijuar një Azem tjetër. Sikur të nderohej ai Azemi që ka qenë, e që unë e kam njohur, d.m.th. Azemi normal, me veset, me prapësitë, me zullumet, por edhe me ca cilësi që e dallonin nga të tjerët, do të shkoja edhe unë të merrja pjesë në këto nderime. Por këta po nderojnë një Azem që nuk ka ekzistuar. Dhe po sajojnë një hero, me të cilin unë nuk identifikohem dot”, shpjegon Mustafa Nano.
Lider i padiskutueshëm
Për Bislim Ahmetajn, Azem Hajdari kishte lindur dhe ishte rritur lideri i padiskutueshëm, sepse sipas tij, këtë cilësi ai e shfaqi qysh ditën e parë që u ngjit mbi një gurë në Qytetin Studenti dhe i vuri gjoksin betejës për liri dhe demokraci. Për këtë arsye, Ahmetaj e sheh Hajdarin si hero.
“Po të bënte qoftë edhe një kompromis me të keqen, Azem Hajdari do të ishte gjallë dhe ndoshta në krye të opozitës së sotshme që na mungon të gjithëve. Azem Hajdarin e ndanë nga jeta, sepse nuk ishte buka e tyre, sepse i rrinte ngushtë kostumi i njerëzve që prodhuan këtë tranzicion pa fund të Shqipërisë, sepse liria dhe njeriu ishin dashuria dhe pasioni i tij përhershëm”, mendon Bislim Ahmetaj.
E donte populli i vet, kaq mjafton për të hyrë në histori
Avokati i njohur, Spartak Ngjela, refuzon të pranojë një mendim si ky i Mustafa Nanos për Azem Hajdarin. Refuzon t’iu përgjigjet konstatimeve të tij, refuzon të hyjë në këtë debat që po përpiqet të “shpikë” Muçi, por i ka shkruar disa fjalë për Azemin hero.
“Kishte karizëm të padiskutueshme. A e dini ju se çfarë është karizma?”, janë dy fjali të shkurtra tipike të avokatit. Ai e quan hero Azem Hajdarin dhe kjo sipas tij nuk mund të diskutohet sepse një njeri që e do populli, ka hyrë në histori dhe për këtë nuk duhet asnjë konfirmim. Për avokatin, Azem Hajdari ishte politikan dhe pa ndërprerje deputet i zgjedhur nga populli. “Azem Hajdarin nuk e zgjodhën kongreset në krye të politikës; por mbështetja e madhe që i bënin vazhdimisht shqiptarët. Ishte i pranuar me një pranim mbarëkombëtar”, shkruan Spartak Ngjela. I referohet retorikës së hershme të Azem Hajdarit. Është një prej momenteve kritike të këtij të fundit në përballjet me partinë e PD-së. Është një pjesë nga fjalimi Hajdarit në konferencën e 13 gushtit 1992, kur Berisha po iu bënte gjyqin kundërshtarëve brenda partisë dhe njëri prej tyre ishte edhe Azemi. Është akuzuar rëndë nga partia e tij. Ka njerëz në PD që sot i thurin lavde Hajdarit, por dikur e kanë akuzuar rëndë, deri atje ku i vihej në dyshim rruga e tij si prijës i studentëve. Në një prej rasteve kur Azemi u gjend përballë sulmeve të ashpra të turmës së Berishës, iu tha atyre:
“Nuk kam frikë të dal sot para jush, njerëz, që më keni nderuar dhe ju kam nderuar, as nga e kaluara ime, as e familjes, as e jetës time politike. Nuk i kam kërkuar asgjë Partisë Demokratike dhe deri tani s’mund të thotë, se nuk i kam dhënë asnjë gjë. Emrin vërtet ma keni dhënë ju, vërtet ma ka dhënë populli. Merreni! Ai është i juaji. Por, përjetësisht do të mbetem ai që kam qenë, djali i një pastrueseje e një familje të ndershme. Partia demokratike është në popull dhe jo vetëm brenda kësaj salle”.
Pikërisht në këtë pjesë të fjalimit të Hajdarit, mbështet logjikën avokat Ngjela kur thotë:
“Ai është i vetmi lider i viteve ‘90 që u krenua me prejardhjen e një njeriu të thjeshte: “E kam nder që jam biri i një pastrueseje të thjeshtë”, -tha, se kishte karizëm. Dhe, ajo më kryesorja: Azem Hajdarin e donte populli i vet në mënyrë të veçantë. Kaq mjafton për të hyrë në histori. Gjithë të tjerat prisni t’i mësoni nga historianët”.
Midis heroit dhe lapidarit
Më i ekuilibruar midis dy skajeve, duket se është analisti Mero Baze. E ka njohur Azemin qysh në dhjetor dhe e kishte mik deri ditën kur dha shpirt në oborrin e PD-së. Për Mero Bazen, Azem Hajdari ishte një njeri që prodhoi më shumë histori nga sa mund të mbante dhe është një histori që shpesh nuk përputhet me njeriun e gjallë e të prekshëm, me Azemin që ka njohur.
E megjithatë, “Azemi ka një biografi të përkryer heroi nëse e shikon nga jashtë. Është prijës i studentëve, disident i partisë së tij dhe pastaj i vrarë”. Këtu ndal entuziazmi i kësaj fraze për t’u ulur me këmbë në tokë. “Nuk është ashtu siç duket sepse fati i Azemit ishte i trishtë kurse historia e tij ishte e madhe. Ato nuk u përputhën kurrë sa ishin gjallë. Tani që ka vdekur thjesht përdoren herë njëra e herë tjetra dhe shkaktojnë zhurmë”, thotë analisti Mero Baze.
Azem Hajdari ishte njeriu që nuk u pranua kurrë nga partia që vetë themeloi dhe kaq mjafton për t’iu kundërvënë fjalimeve që sot lexojnë me aq zjarr demokratët e kohëve të hershme por edhe të rinjtë që kurrë nuk e njohën Azem Hajdarin.
“Azem Hajdari është një njeri që prodhoi më shumë histori nga sa mund të mbante dhe është një histori që shpesh nuk përputhet me njeriun e gjallë e të prekshëm që ne kemi njohur. Azem Hajdari nuk ia doli dot të udhëhiqte partinë që krijoi dhe ishte i qartë për këtë, por nuk pranoi dot kurrë faktin që partia që krijoi ta zbonte atë edhe nga radhët e veta. Për tetë vite të jetës së tij politike, ai ishte më shumë në konflikt me partinë e tij dhe mospranimin e vazhdueshëm të saj se sa me kundërshtarët politikë. Dhe biografia e tij e vërtetë është pikërisht beteja për t’u pranuar nga PD. Sali Berisha nuk e pranoi kurrë, as si bashkëpunëtor, as si aleat politik e as si njeri me vlera. Kishte një qëndrim konstant kundër tij, edhe për të qetësuar bashkëpunëtorët e tjerë të tij siç ishte ish-kryeministri, ish-shefi i SHIK etj., të cilët kishin probleme me Azemin”, thotë analisti Mero Baze.
Kushtrimin e dha Azemi
Ishte i pari që lëshoi kushtrimin për liri. Këtu nis e pazakonta e Azem Hajdarit, për Ilir Kadinë, mik i Azem Hajdarit, atë kohë gazetar i BBC-së. E ka përcaktuar në memorien e tij, “heroin Azem Hajdari” qysh ditët e dhjetorit e deri ditën kur katër plumba i dhanë fund jetës së tij.
“E kam fiksuar në kujtesë Azem Hajdarin te sheshi para mensës te “Qyteti Studenti” të hënën e parë pas revoltës studentore, që priu të shtunën e atij dhjetori të ftohtë të ‘90-ës! Tirana ish gdhirë me lajmin se ishin rrahur studentët nga policia dhe qytetarët një nga një, po vinin në atë shesh me vrull! Por “pylli” i tyre ish ende i rrallë! Azemi i vuri duart si hinkë para gojës dhe dikur thërriti drejt dritareve e ballkoneve të konviktit të vajzave, që shikonin sheshin prej andej, të pavendosura ç’do bënin, t’i bashkoheshin atij apo të shkonin në auditor! Azemi vikati: “Nuk duam spektatorë, nuk duam spektatorë!”.
Ku ta dija unë që ajo thirrje jehonte e trokiste jo vetëm nëpër dritaret e të gjitha konvikteve të “Qytetit Studenti”, por edhe te të gjithë shtëpitë shqiptare që ushqeheshin me tollon apo xhamave të thyera të dritareve të uzinave e fabrikave që ushqenin punëtorët pa punuar me 80 për qind të pagës! Pastaj në shesh dhe në megafon kush nuk doli e kush nuk foli! Por kushtrimin e dha Azemi! Atë ditë e pashë për herë të parë! Miq u bëmë më vonë! Azemi nuk pushoi asnjëherë, që nga kushtrimi i parë e deri te krismat e plumbave që i morën jetën pa bërë lajm!”.
Vigu i fundit
“Do tregoj për lajmin e plagosjes së tij në foltoren e parlamentit! Qëllova të jem atje! Kiço Blushi më ftoi të pinim një gotë në klubin e sallës së Parlamentit. Klubi plot! Në tavolinën krah tonës Gafur Mazreku, deputeti socialist që pak minuta më vonë do zbrazte koburen mbi Azemin që do fliste në foltoren ku një ditë më parë ishin kapur me duar, si në një mundje greko-romake. Ishte mes deputetesh të tjerë të partisë së tij. Azemi hyri në klub dhe shkoi drejt tek ai duke i vënë dorën në qafë. Nuk dëgjova çfarë i tha por mendova se i lypi pajtim! Ai iku dhe pak më vonë edhe Gafurri dhe fill pas tij…krisma e parë! Pastaj e dyta, e treta…! Deputetet e klubit ia mbathën në çast! Mbeta vetëm me manjetofonin. M’u dha dhe e ndeza! Bëra të dal kur, në atë pak holl ku dalin e hyjnë deputetët në sallë, pashë Azemin që përpiqeshin ta ngrinin në krah. Ishin Gramoz Ruçi, Tritan Shehu, Maksim Cikuli, Anastas Angjeli…! Gramozi hoqi rripin e pantallonave dhe desh t’i lidhte plagën, që dukej gjak, në kofshë! “Kam dy plumba në shpatull, Gramoz!” -i tha Azemi.
Manjetofoni im incizonte frymëmarrjen e vështirë të Azemit dhe fjalët e këmbyera mes deputeteve mjekë të Parlamentit! Dikush erdhi e tha se kish ndaluar një makinë të kuqe mirëpo ajo nuk mund të vinte deri te dera sepse rrugën e kish zënë autobusi i RTSH që transmetonte drejtpërsëdrejti!
Gramoz Ruçi, Tritan Shehu, Maksim Cikuli, Anastas Angjeli…nuk mbaj mend kush tjetër i lidhën duart kryq dhe formuan vigun mbi të cilin u shtri Azemi! Por ky ish vigu i fundit i formuar me duar të bashkuara mes demokratësh dhe socialistësh! Tjetri do ish…arkivoli! Brenda tij Azemi nuk do e dëgjonte dot kushtrimin: “Azem, Azem, ti je gjallë!”. Azemi… akoma po vdes!”, shkruan Ilir Kadia.
Dyshimet për histori dhe heronj
“As unë dhe askush nuk mund ta dijë çfarë do të kishte ndodhur me Azemin po të kishte vazhduar si të tjerët. Historia, edhe kjo jona, na jep plot shembuj që tregojnë se si një fazë e ndritur apo edhe heroike e jetës së një politikani është njollosur pakthyeshëm me krime dhe abuzime. Vrasja e privoi Azem Hajdarin të dëshmonte si do të sillej me pushtetin ekzekutiv. Askush nuk ka të drejtë të hamendësojë për asgjë. Këto ushtrime të fantazisë nuk i vlejnë askujt”, shkruan Preç Zogaj.
Për sa e ka njohur e ka një parashikim se si do të sillej Azemi nëse do të mësonte se për të do të ngriheshin buste. “Azemi jetonte me delirin e heroit. Bile ajo e mbante gjallë në politikë. Por njeriu nuk mund të ketë në mendje dhe heroin dhe lapidarin. Ai kishte besim te karizma e tij”, thotë Mero Baze.
Do të ketë gjithmonë diskutime rreth dritëhijeve të Azem Hajdarit për kohën kur jetoi. Ata që lanë gjurmë në histori, kujtohen si të tillë por edhe diskutohen dhe vihen në dyshim.
Ata kanë qenë njerëz dhe padyshim jetuan të zakonshmen si çdo njeri në këtë jetë. Për të gjithë ata që shoqëria shqiptare ose një pjesë e saj i quan heronj, ka dritëhije, ka thashetheme historianësh e herë-herë dokumente që vërtetojnë ndonjë prej tyre. Në rastin konkret, për Azem Hajdarin ka deri tani vetëm thashetheme për dritëhije, që publiku i gjerë nuk i njeh.(Mapo)