Në komunikimin e fundit për ditën e hënë, Komiteti i Emergjencave njoftoi se moti ka ardhur drejt përmirësimit dhe prurjet Vjosës kanë rënë poshtë nivelit kritik. Lumi është kthyer në shtratin e vet dhe po tërhiqet nga zonat e përmbytura.
Kjo ka bërë të mundur kthimin e rreth 80% të familjeve të evakuuara në shtëpitë e tyre. Ndërkohë ka vijuar puna për ngritjen e argjinaturës së re në Darzezë dhe ka përfunduar për 18 orë ndërtimi i urës së prishur, raporton Top Channel.
Akset kryesore janë të hapura, me përjashtim të disa rrugëve rurale, ku po vijon puna për zhbllokimin e tyre. Gjithsesi, reshjet kanë shkaktuar dëme në ura dhe segmente rrugore, që kërkojnë ndërhyrje afatgjatë. Sipas Emergjencave Civile furnizimi me energji elektrike është normalizuar dhe po punohet për përmirësimin e cilësisë së ujit në ujësjellësit e prekur.
Më herët Ministria e Arsimit njoftoi se të martën do të rifillojë mësimi në 13 shkolla të tjera nga 28 që nuk u hapën ditën e hënë. Familjeve të prekura nga përmbytjet ka filluar t’u shpërndahen ndihmat dhe po bëhet inventarizimi i plotë dëmeve për kompensimin e tyre.
Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave ka hapur edhe llogari bankare për këdo që dëshiron të kontribuojë në ndihmë të qytetarëve të prekur, kurse në Ministrinë e Mbrojtjes është ngritur qendra e pritjes dhe e administrimit të ndihmave. /b.d