Nga Artan Fuga
Pres nga zonja Monika Kryemadhi dhe nga zoti Petrit Vasili të distancojnë LSI-në nga qendrimet recidiviste në hapësirën publike të Luan Ramës!
——————————–
Unë si profesor, akademik, qytetar, dua të di nëse qendrimet e Luan Ramës,zëvendëskryetar i LSI -s, shpifjet e tij në planin personal, fyerjet ndaj familjes sime, balta e hedhur ndaj akademikëve kolektivisht, a janë edhe qendrime zyrtare të kësaj partie që drejtohet nga zonja Monika Kryemadhi dhe ka si drejtues të grupit të deputetëve zotin Petrit Vasili, apo janë spekulime të Luan Ramës që duke përfituar nga statusi i tij politik i lejon vetes të abuzojë publikisht në këtë mënyrë?
Unë dua të di, pa lojë fjalësh, dhe drejtpërdrejt, hapur, nëse këto janë qendrime politike, apo qendrime personale të mbuluara keq me status politik, por që paraqesin sipërmarrje individuale ose pak më gjerë sesa kaq.
Poqese nuk janë të LSI-së atëhere Luan Rama me titull personal me qendrimet e veta bëhet mbrojtësi i konservatorizmit më radikal brenda Akademisë të Shkencave që e ka penguar këtë derimësot t’i hynte procesit të reformimit.
Unë nuk besoj se këto zgjatime të konservatorimit akademik shkojnë e shtrihen deri te politika. Nuk dua ta besoj. Aq më pak te LSI-a
Me përpjekje shumë të mundimshme të akademikëve u arrit që edhe Akademia të pranojë se ka nevojë për reformim, poashtu edhe ekzekutivi të mos blllokojë fondet e saj derisa të shihet produkti që akademikët do të japin. Nëse nuk e japin përgjegjësia eshtë e atyre që e pengojnë brenda saj.
Por, që një politikan të gjykojë shkencëtarët, më keq, t’i fyejë publikisht, kjo ka ndodhur vetëm një herë në historinë tonë, sikurse ka ndodhur vetëm një herë që pas shpalljes së pavarësisë që një ministër i brendshëm të akuzohet për rrahje publike të një gazetari. Ka pasur ministra të brendshëm që janë akuzuar për tortura, internime, pushkatime pa gjyq, por për akuzën e rrahjes publike të gazetarit vetëm një njihet.
Ne kemi pra një akt recidivist.
Unë mbetem me shpresën pa hije se LSI do të dijë të distancohet publikisht nga loja ku është futur nga nënkryetari i saj Luan Rama, i cili deklarimet e tij për këtë çështje në vazhdimësi i ka mbështetur edhe në deklarat e tij si deputet i LSI-së. Edhe nëse ato janë qendrime personale kjo duhet të dihet publikisht se njeriu me rolet e tij sociale vepron si trupi me hijet, mban shumë, sipas burimeve të dritës që errethojnë, por të gjitha të lidhura me një trup të vetëm.