Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe nuk arritën sot të finalizojnë një marrëveshje për të mbyllur fazën e parë të negociatave për ndarjen e tyre, pavarësisht optimizmit të shfaqur nga dy palët gjatë takimit në një samit në Bruksel.
Një marrëveshje paraprake mbi tre dosjet prioritare të ndarjes, rregullimi financiar, të drejtat e qytetarëve dhe fati i kufirit irlandez, do t’i kishte hapur rrugën negociatave tregtare të kërkuara me insistim nga Londra.
“Pavarësisht përpjekieve tona më të mira, nuk ishte e mundur të arrihej në një marrëveshje të plotë sot”, deklaroi para medias presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker në përfundim të një dreke pune me Theresa May.
Megjithatë Juncker theksoi se një marrëveshje i dukej e mundur gjatë kësaj jave.
“Ka disa dallime që kërkojnë më shumë negociata dhe konsultime. Kam besim se do e mbyllim këtë në mënyrë pozitive”, konfirmoi nga ana e saj May.
Takimi mes dy krerëve synonte të mbyllte marrëveshjen parimore mbi modalitetet e ndarjes, të programuar në fund të marsit 2019./b.d