Gjatë vizitës së tij në Bruksel, më 4 dhjetor 2017, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati u takua me zv. presidentin e Parë të Komisionit Evropian, Frans Timmermans si dhe komisionerin Avramopulos.
Ministri Bushati bëri një analizë të detajuar të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare për plotësimin e pesë përparësive kyç dhe vlerësoi mbështetjen e Komisionit Evropian për axhendën evropiane të Shqipërisë.
Ai nënvizoi se duke pasur parasysh progresin e bërë, qeveria pret që viti 2018 të jetë vit vendimtar për rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe në këtë kuadër, hapja e bisedimeve të anëtarësimit do të konsolidojë angazhimin e pandalshëm në transformimin dhe modernizimin evropianizues të vendit.
Gjatë të dy takimeve, përfaqësuesit e Komisionit Evropian vlerësuan përkushtimin në vazhdimësi të Shqipërisë për axhendën e reformave.
Në takimin me Zv. presidentin Timmermans, ministri Bushati theksoi se reforma transformuese në drejtësi është unike dhe po vihet ne jetë në bashkëpunim të ngushtë me partnerët. Zv. Presidenti inkurajoi vijimin e zbatimit të reformës në drejtësi, si themeli për forcimin e shtetit të së drejtës dhe përparimin e procesit te integrimit.
Gjatë takimit me komisionerin Avramopoulos, ministri Bushati nënvizoi se rezultatet e prekshme të arritura në luftën kundër krimit të organizuar, veçanërisht në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, janë fryt i vendosmërisë për të forcuar shtetin ligjor.
Gjithashtu, ai theksoi se vullneti politik dhe angazhimi i qeverisë për të forcuar sundimin e ligjit janë të palëkundur dhe të pakthyeshëm.
Komisioneri Avramopoulos vlerësoi masat e ndërmarra në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, veçanërisht rezultatet shumë pozitive të arritura në luftën kundër kultivimit të kanabisit. /b.d