Gjatë viteve të fundit është vërejtur boshllëk institucional në rritje për sa i takon faktit se cila strukturë është përgjegjëse për administrimin e sistemeve ujitës. Shkak është bërë Reforma Territoriale e cila ka transferuar disa nga funksionet e ujitjes dhe kullimit nga pushteti qendror tek ai vendor.
Periudha tranzitore e shoqëruar me mungesën e përvojës dhe mjeteve dhe mos rregullimi me akte ligjore e nën ligjore i ka lënë kompetencat për mbrojtjen nga përmbytjet pezull.
Ministria e Bujqësisë duke referuar kompetencat e reja, sqaron se, Bordet e Kullimit kanë qenë përgjegjës për administrimin e veprave të marrjes dhe kanaleve kryesore të ujitjes kryesisht në sistemet e mëdha si dhe infrastrukturën kryesore të kullimit.
Organizatat e Përdoruesve të Ujit (OPU-të) e krijuara ishin përgjegjëse për administrimin e rrjetit sekondar dhe terciar të ujitjes, por shumica e tyre nuk janë më aktive dhe ato dështuan në kryerjen e funksioneve të tyre për shkak të mungesës së partneritetit dhe krijimit të kapaciteteve nga strukturat përgjegjëse shtetërore gjatë dekadës së fundit, analizon Ministria e Bujqësisë.
Në fillim të vitit 2016, shumica e skemave ujitëse u transferuan tek bashkitë, të cilat kanë krijuar Njësitë përkatëse të Ujitjes dhe Kullimit.
Tani bashkitë janë përgjegjëse për ndërtimin e kapaciteteve në Njësitë e tyre të Ujitjes dhe Kullimit si dhe për OPU-të (Organizatë e Përdoruesve të Ujit). OPU-të do të marrin gradualisht përgjegjësi në rritje, kur ato të trajnohen dhe kanë interes/dëshirë për një angazhim të tillë.
Në shumicën e vendeve, kullimi që nuk lidhet direkt me ujitjen, konsiderohet si funksion publik dhe si i tillë financohet nga buxheti i shtetit. Administrimi i kullimit është përgjegjësi e Drejtorive të Ujitjes dhe të Kullimit, të cilat janë struktura varësie të MBZHRAU. Funksionet dhe detyrat e tyre janë të lidhura me shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e kolektorëve dhe kanaleve kryesore kullues, hidrovoreve, kanaleve të ujërave të larta dhe veprat e mbrojtjes nga përmbytja në administrim të tyre.
Ndërsa përgjegjësia e administrimit dhe pronësia e gjithë infrastrukturës tjetër të kullimit i është transferuar bashkive përkatëse, në zbatim të VKM nr.1108, datë 30.12.2015, “Për transferimin nga Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të ujërave te bashkitë, të infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, të personelit dhe të aseteve të luajtshme e të paluajtshme të bordeve rajonale të kullimit”.
Drejtoritë e Ujitjes dhe të Kullimit, ashtu si Bordet Rajonalë të Kullimit financohen nga buxheti i shtetit. Ata kanë në përbërje të tyre 4 sektorë:
Teknik, Financë dhe Administratë, Hidrovorë dhe Makinerinë e Rëndë dhe Administrimin e Ujitjes.
Përgjegjësitë kryesore për kullimin konsistojnë në Pastrimin dhe mirëmbajtjen e kanaleve kullues, KUL-ve dhe Mirëmbajtjen dhe shfrytëzimin e hidrovorëve janë:
1- Kontrolli i cilësisë së ujit në kullues që lidhet me zonat bujqësore, urbane apo me zona të rëndësishme nga pikëpamja mjedisore (këneta etj.);
2- Inspektimi, mbikëqyrja e veprave të kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytja;
3- Përgatitja e plan veprimit në raste përmbytje;
4- Mirëmbajtja e veprave mbrojtëse nga përmbytjet lumore e detare;
5- Administrimi i lumenjve, përrenjve, aty ku është e nevojshme, në lidhje me erozionin.
MBZHRAU do të jetë përgjegjëse për mirëmbajtjen, rehabilitimin dhe rikonstruksionin e veprave të mbrojtjes nga përmbytjet, si kanalet e ujerave të larta dhe argjinaturat lumore dhe detare.
Ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme është përgjegjëse për paralajmërimin nga përmbytjet dhe masat për reagimin ndaj situatave emergjente.
Edhe mbrojtja nga përmbytjet është një përgjegjësi publike dhe financimi bëhet nga buxheti i shtetit, si për parandalimin ashtu dhe masat në situata emergjence.
Veprimtaritë për mbrojtjen nga përmbytjet duhet të hartohen dhe zbatohen në përputhje me Strategjinë kombëtare për zvogëlimin e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore dhe mbrojtjen civile, të përgatitur nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe në zbatim të ligjit “Për emergjencat civile”. Realizimi i funksioneve të mësipërme, mbështetet nga buxheti i shtetit me fondet e planifikuara në buxhetin vjetor të MBZHRAU dhe bashkive.
Për vitin 2016, financimi për operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e infrastrukturës së ujitjes, kullimit dhe mbrojtës nga përmbytjet në total ka qenë 8.70 miliard lekë, nga të cilat 3.26 për 61 bashkitë dhe 4.44 miliard leke për MBZHRAU. Rreth 60% e financimit (rreth 5.13 miliardë leke) është adresuar për rehabilitimin e infrastrukturës se ujitjes./monitor.al
ma.me