Peshëngritësi Erkand Qerimaj u rendit i katërti në botë në stilin e shkëputjes gjatë garës së të shtunës, pasi ngriti 155 kilogramë në provën e parë, duke dështuar në dy të tjerat. Ndërsa në stilin e shtytjes ai u rendit i 9-ti, pasi ngriti 187 kilogramë. Në dygarësh, sportisti ynë u rendit i gjashti.
Nga fakti që doli i zhgënjyer këtë radhë nga ky Botëror, ku mund të kishte sjellë një tjetër medalje në shtëpi, pas garës ka qenë tepër i revoltuar. Këtë zhgënjim ndaj vetes e ka shprehur nëpërmjet një postimi në “Facebook”, ku fajëson federatën për mungesën e një fizioterapisti në Botëror.
Ai shkruan: “Një kile larg medaljes në Botëror, me sa duket nuk ishte dita ime. Por edhe bllokimet muskulore të këmbëve ndikuan. Kështu është kur ekipi ynë kombëtar nuk ka një fizioterapist në Botëror”.
Shtangisti Qerimaj ka konkurruar në të dyja stilet, në atë të shkëputjes dhe atë të shtytjes. Gjatë provës së parë, në stilin e shkëputjes e nisi me 155 kg, të cilën e ngriti duke iu dridhur këmbët dhe me mjaft vështirësi arrin që ta kalojë me sukses.
Në provën e dytë, ai tentoi të ngrejë 187 kilogramë, por i skadon koha e ngritjes dhe dështon. Gjatë provës së tretë, po me 187 kilogramë, ai pasi përqendrohet mirë, arrin ta ngrejë nga vendi, por nuk arrin ta shkëpusë mbi kokë. Kështu që ai e ka mbyllur i katërti me 155 kilogramë.