Deputeti i PD, Tritan Shehu prej dy ditësh ndodhesh në Gjirokastër, një nga zonat më të dëmtuara nga përmbytjet.
Bizneset në qytet kanë pësuar dëme të mëdha ndërsa Dropulli është pothuaj i izoluar. Shehu ka kërkuar që Bashkia dhe qeveria të ndihmojnë qytetarët me ndihmë financiare.
“Do të kërkojmë që Këshilli Bashkiak i Gjirokastrës të miratojë mbështetje financiare për aktivitete të tillë ekonomike të dëmtuara rëndë nga përmbytjet. Ndryshe pasojat do të jenë shkatërruese jo vetëm për ato biznese, por edhe për ekonominë në agoni të Qarkut Gjirokastrës. Janë shembur 5 ura dhe dëmtuar kilometra rrugë që kanë izoluar tërësisht rreth 400 familje të asaj zone. I vetmi komunikim i mbetur për ata është ai me Greqinë. Dëmi llogaritet në rreth 1 Miliardë lekë të vjetra”, u shpreh Shehu.
Shehu pati një takim edhe me mjekët e spitalit të Gjirokastrës, të cilët i falënderoi për gatishmërinë e treguar, pavarësisht problematikës së sistemit shëndetësor në qarkun e Gjirokastrës, që tregoi se nuk përballon situata të tilla madhore as më personal, specialistë, pajisje dhe furnizime.
“Ndërprerja e lidhjeve të Gjirokastrës me Tepelenën e Përmetin nxori në pah situatën e degraduar të spitaleve të dy bashkive të tjera. Po kështu ndërprerja e lidhjeve me periferitë e bashkive tregoi gjendjen shumë të rëndë të qendrave shëndetësore në të gjithë Qarkun”, tha deputeti Shehu. /b.d