Ambasadori i Serbisë në Itali Goran Aleksic, ka bërë një figurë qesharake në Universitetin La Sapienza, kur insistoi të merrte fjalën në fund të një konferencë shkencore dhe të fliste kundër Kosovës dhe prezantimeve që u bënë aty.
Pjesëmarrësit në konferencë që ishin profesorë, studentë diplomatë dhe një senator, filluan të lëshojnë sallën kur ai u drejtua me arrogancë të pranishmeve, “Cili nga ju ka qenë ndonjëherë në Kosovë”. Ambasadorja e Kosovës në Itali Alma Lama i reagoi duke i thënë që të mos ofendonte të pranishmit dhe se në sallë kishte përfaqësues të shtetit të Kosovës.
Të pranishmit filluan të dalin nga salla dhe i kërkuan të ndërpriste fjalën. Incidenti ndodhi pas prezantimit të sesionit për Kosovën, në Konferencën e organizuar nga Fondacioni La Sapienza i Romës dhe Qendra e Hulumtimeve për Eurazi (CEMAS) e Universitetit Sapienza të Romës.
Tema e konferencës ishte “Përtej Luftës: Restaurimi i trashëgimisë kulturore në Kroaci dhe Kosovë”, ndërsa tema e sesionit për Kosovën ishte Mbrojtja e trashëgimisë nga manipulimet historike, ky prezantuan punimet e tyre Dr. Florina Jerliu dhe Kerkuesi shkencor Arben Arifi.
Ambasadorja tha se Kosova tani është një vend i hapur për të gjithë studiuesit, trashëgimia kulture çdo ditë e më shumë po pasurohet me anë të zbulimeve të reja, gërmimeve dhe gjetjeve të vendbanimeve të lashta, artifakteve me vlerë etj.
“Ne ende kemi shumë çështje të hapura që kërkojnë zgjidhje me Serbinë, edhe në lidhje me trashëgiminë kulturore, tha Lama. Serbia ka marrë mbi 1200 artefakte arkeologjike dhe etnografike nga Muzetë e Kosovës gjatë luftës, dhe nuk pranon t’i kthejë ato. Mes tyre edhe statuja mbi katër mijë vjeçare.”