Moti i keq me reshje të dendura shiu që ka përshirë të gjithë territorin prej ditës së djeshme ka shkaktuar problematika në qarkullim dhe ndërprerje të energjisë elektrike.
315 persona mësohet se janë evakuuar nga banesat e bizneset gjatë ditës së djeshme e gjatë natës pas ndërhyrjes së ushtrisë.
Po gjatë natës në zonën e Vorës është nevojitur ndërhyrja e ushtrisë të cilët me anë të një eskavatori kanë evakuuar disa persona të tjerë.
Raportohet se pa energji elektrike janë 71.000 abonentë dhe nuk janë në funksionon 60 fidera.
Sipas Zyrës së Emergjencave Civile, autostrada Tiranë-Durrës është e kalueshme me vështirësi ndërsa krahu Durrës-Tiranë është i pakalueshëm si pasojë e përmbytjeve. Rruga Ndroq-Durrës është e kalueshme.
Në Vlorë prej orës 01:00 pas mesnate kanë nisur të shënohen problematikat e para. Rruga nacionale Vlorë- Llogora është bllokuar, por pas ndërhyrjes së ushtrisë rruga është e kalueshme me një sens. Situata është krijuar për shkak të rreshjeve të furishmë të cilat kanë rrëzuar gurë dhe dhera.
Erozioni ka prekur të gjithë kodrën. Situata është monitoruar në tërren nga kreu i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, i cili ka angazhuar në terren shërbimet publike dhe ushtrinë.
Kryebashkiaku deklaroi se po monitorohet edhe situata në qytet , ku aktualisht gjenden nën ujë akset kryesore lidhëse mes bulevardit dhe rrugës Trasballkanike.
Sakaq, situata prezantohet problematika edhe në zonat periferike të qytetit. Shtabi i Emergjencave raporton se edhe Vjosa është në pikë kritike. Të dhënat paraprake flasin për rritjen e nivelit ne kuotat e 5.5m, raporton oranews
Sipas specialistëve në 5.8 m pritet të nisë evakuimi. Vjosa del nga shtati nëse arrin 6.3 m. Sipas rritmit të prurjeve lumi rrezikon të dalë nga shtrati orët e mesditës. Në Novoselë, gjasat janë të përseriten përmbytjet masive të vitit 2015-të.
Në Korçë, janë regjistruar reshje të dendura shiu gjatë orëve të natës dhe vijojnë me intensitet edhe në këto momente.Reshjet e dendura të shiut kanë sjellë bllokimin e aksit Lozhan-Moglicë si pasojë e rrëshqitjes së gurëve.
Rrëshqitje gurësh ka pasur dhe në aksin Bilisht-Kapshticë, por pas ndërhyrjes rruga është zhbllokuar. Ndërkohë në Maliq dhe fshatin Lekas moti i keq ka ndërprerë energjinë elektrike prej 7 orësh. Rrezikohet të përmbytet fusha e Maliqit e cila është pika me delikate në qarkun e Korçës.
Prefekti i Korçës, Dhori Spirollari, ka deklaruar se janë në gatishmëri.
“Jemi në gatishmëri, në Korçë ka reshje intensive shiu, ndërsa në Pogradec situata është normale. Aktualisht nuk ka bllokime apo evakuime. Fusha e Maliqit mbetet më e rrezikuara në vijim”.
Në Gjirokastër, liqeni i Viroit ka dalë nga shtrati që nga mbrëmja e djeshme duke shkaktuar përmbytje në pjesën e poshtme të Gjirokastrës, ndërsa në rrugët e brendshme ka vështirësi në qarkullim. Rruga nacionale Gjirokastër-Kakavijë është e pakalueshme në njërin krah.
Në Skrapar, një pjesë e fshatrave janë pa energji elektrike pasi era e fortë ka shkëputur disa linja të tensionit të lartë.Në hyrje të Poliçanit, në afërsi të fshatit Plizë është shembur një urë si pasojë e rrëshqitjes së dherave.Në aksin Berat-Skrapar ka rrëshqitje të gurëve dhe dherave në rrugë dhe për pasojë mjetet qarkullojnë me vështirësi.
Në monitorim të plotë po mbahet lagjia e Dafinave në bashkine e Ures Vajgurore, pasi niveli mjaft i ulët ku është ndërtuar vë në rrezik banesat nëse uji del nga shtrati në këtë zonë.
Lezhë: Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme edhe në Mamurras, ku për pasojë është shembur ura e mbi lumin e “Drojes”. Nga shembja e urës është bllokuar qarkullimi i automjeteve në aksin Laç-Fushë Krujë. Ndërkohë vijon që lumi “Droje” të ketë prurje të shumta.
Fier: Situata paraqitet mjaft problematike edhe në qytetin e Fierit, ku reshjet e dendura të shiut nuk kanë munguar gjatë gjithë natës, të cilat janë shoqëruar edhe me shkarkesa elektrike. Lumenjtë Seman dhe Gjanica janë paraqitur në nivele jo probleme deri më tani. Ndërkohë, që Vjosa është në gjendje kritike dhe pritet të dalë nga shtrati nga ora në orë. Rrugët vazhdojnë të jetë të hapura dhe të mos ketë probleme.
Fushë-Krujë: Situata mjaft problematike paraqitet në zonën e Fushë-Krujës, nën ujë është e gjithë zona, fshatrat e Fushë-Krujë janë tërësisht të mbuluar me ujë, gjithashtu edhe një pjesë e qytetit. Ndërkohë janë përmbytur edhe dy stacionet e pompave në Fushë-Krujë. Fshatrat më shumë problematike janë Bilaj, Bubq etj. Në Fushë-kruje aktualisht janë nën ujë edhe pjesë të fshatrave të cilat nuk janë përmbytur asnjëherë më parë.
/a.ç