Qysh kur është bërë deputet i rajonit të Brukselit, Ahmet Gjanaj, ka ndërmarrë disa veprime për të thyer paragjykimet ndaj Shqiptarëve, për mbrojtjen e të drejtave të Shqiptarëve në Ballkan dhe për të vënë në dukje vlerat e bukura të këtij kombi. Për të treguar se sa mirë janë të integruar Shqiptarët në shoqërinë belge dhe evropiane dhe për të përfshirë komunitetin shqiptar në evente të natyrës demonstrative për vlerat që mbart ky popull dhe që të ndjehet krenar për to, deputeti shqiptar po shfrytëzon të gjithë kontaktet dhe ndikimin e tij politik.
Në datat e rëndësishme për kombin, në veçanti për 28 nëntorin, Ahmet Gjanaj është përpjekur që të « kapen » simbolet e Belgjikës për të festuar. Filloi me 100 vjetorin e pavarësisë më 2012 ku u arrit që të festohet vetëm 100 metra larg nga qendra historike e Brukselit. Pastaj, më 28 nëntor 2015, ai arriti që t’i kërkoi kryetarit aktual të Bashkisë së Brukselit që Manneken-Pis, simboli i Brukselit, të vishej me një ndër kostumet kombëtare dhe u festua me komunitetin shqiptar në « Grand Place » në zemër të Brukselit. Sivjet, arritjet e deputetit Ahmet Gjanaj janë rritur shumë pasi në tetor, është mbajtur një seancë e posaçme të parlamentit të rajonit të Brukselit ku është folur për një marrëveshje bashkpunimi ndërmjet komunave të Brukselit dhe komunat e Shqipërisë dhe të Kosovës.
Kurse nën inisiativën e tij, Tirana është e ftuar e nderit e panairit të madh 5 javor me mbi 2 miljonë vizitorësh nga e gjithë Evropës « Kënaqësitë e dimrit » dhe për festën e flamurit, ka arritur që të valvitet flamuri kombëtar mbi Atomium-in, simbolin e Belgjikës. Është mbajtur një koncert i madh poshtë Atomium-it i hapur për të gjithë ku komuniteti shqiptar ka festuar me dinjitet festën e flamurit. Është një vit i jashtzakonshëm për komunitetin shqiptar i Belgjikës i cili përforcon imazhin e një populli dinjitoz duke ripërsëritur skenat e bukura të turneut Euro 2016.