Sonte, më 29 nëntor, artistët do të vërshojnë në sheshin “Skënderbej” në Tiranë. Një ndër këngëtarët më të famshme botërore, Emeli Sande do të performojë për natën e bardhë në kryeqytetin shqiptar.
Veç këngëtares me famë botërore, tashmë janë zbuluar emrat që do të performojnë në këtë koncert tradicional, ku në “Natën e Bardhë” do të peformojnë Alban Ramosja dhe Kamela Islamaj. Koncerti mbahet sonte, ndërsa është falas për të gjithë.
Kreu i qeverisë Edi Rama ka përshëndetur qytetarët, duke uruar edhe për 73-vjetorin e çlirimit të Shqipërisë dhe i ka ftuar për të ndjekur këngëtaren Emeli Sande në shesh. Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj përmes një postimi në “Instagram” e vlerëson si një lajm të madh.
“E nisim nëntorin me një super lajm. Emeli Sande vjen në Tiranë në datën 29 nëntor për koncertin e madh të Nata e Bardhë në Sheshin Skënderbej. Mos e humb një ditë-natë me koncerte, muzikë, art, surpriza dhe shumë argëtim”, ka shkruar Veliaj.