Sherri i nisur disa ditë më parë mes një qytetari dhe fatorinos së autobusit, ka përfunduar me pasoja të rënda. 49-vjeçari nga Lushnja që u dhunua nga fatorino, mësohet se ka ndërruar jetë ditën e djeshme në Spitalin e Traumës si pasojë e goditjeve të rënda që kishte marrë në kokë.
Ai u godit nga fatorino i autobusit që bën linjën Athinë-Tiranë. Për dy javë me radhë, 49-vjeçari ka qëndruar në reanimacion, por rezultatet nuk kanë qenë të mira. Ai nuk ka mundur t’i përballojë goditjet në kokë dhe për këtë arsye ka gjetur vdekjen.
Viktima është Bardhyl Hasanaj, i cili dy javë më parë kishte dalë në rrugë dhe po priste makinat e rastit për të udhëtuar në drejtim të Tiranës.
Kur autobusi i parë ka ndaluar për të zbritur disa pasagjerë, 49-vjeçari ka dashur të hipë, por është penguar nga fatorino. Në këtë moment mësohet se ka nisur edhe sherri mes tyre, në rreth-rrotullimin e Çermës.
49-vjeçari ka vrapuar të hipë, por është penguar nga fatorinoja me inicialet A. C., banues në Lukovë të Sarandës. Ky i fundit e ka sqaruar pasagjerin se autobusi bënte linjën direkte Athinë-Tiranë dhe se nuk i lejohej të merrte pasagjerë të tjerë rrugës.
Por Hasanaj ka këmbëngulur duke kërkuar me insistim të udhëtojë me atë autobus pasi nxitonte për në kryeqytet, raporton “Shekulli”.
Ai e ka fyer fatorinon dhe të dy janë përfshirë në një sherr derisa 39-vjeçari e ka goditur me një grusht në kokë duke i shkaktuar marrje mendsh dhe 49-vjeçari është rrëzuar në tokë.
Pas ngjarjes, autobusi është nisur drejt Tiranës, ndërsa Bardhyl Hasanaj ka kërkuar ndihmë te kalimtarët e tjerë që ishin në stacion.
Ai është shoqëruar për në spitalin e Lushnjës dhe pasi ka shfaqur simptoma të rënda, është nisur për në Tiranë. Goditja ka qenë fatale për të. Ndërkohë, Policia ka njoftuar se është ndaluar dhe vënë në pranga autori i dyshuar i ngjarjes./b.d