Kina u premton vendeve të Evropës Lindore dhe Juglindore investime në miliarda. BE-ja është skeptike.
Kryeministri kinez Li Keqiang u premtoi vendeve të Evropës Lindore dhe Juglindore ndihma prej rreth tre miliardë dollarësh. Dy miliardë dollarë do të vihen në dispozicion për projekte për zhvillimin prej Bankës Kineze për Zhvillim, kurse një miliardë do të livrohen në kuadër të një programi për kooperim në fushën e investimeve.
Në takimin e nivelit të lartë të vendeve CEEC-it (Central and Eastern Europa and China) të quajtur edhe si samiti “16 plus 1”, që po zhvillohet në Budapest, presidenti kinez Li tha se bashkëpunimi karakterizohet “nga respekti reciprok dhe parimi win-win”.
Pjesë e “Rrugës së re të mëndafshit”
Takimi i Budapestit është pjesë e strategjisë ndërkombëtare të Kinës për investime, të quajtur “Rruga e re e mëndafshit”. Kjo bazohet në lidhjet e dikurshme të rëndësishme tregtare mes Kinës dhe Evropës në periudhën e Antikitetit dhe të Mesjetës së Hershme. Në këtë kuadër pritet të ngrihen lidhje të reja rrugore dhe hekurudhore për të nxitur tregtinë mes Evropës dhe Azisë.
Hungaria synon të lidhë njëmbëdhjetë marrëveshje dypalëshe me Kinën. Një ndër to është për një kredi kineze me vlerë 2,1 miliardë dollarë për modernizimin e lidhjes hekurudhore mes Hungarisë dhe Beogradit. Përmes kësaj lidhjeje pritet që mallrat që vijnë nga Kina në portin grek të Pireut, të transportohen edhe më shpejt në vendet e Evropës qendrore. Punimet pritet të nisin në vitin 2020.
Përçarje e Evropës?
Presidenti hungarez Orban tha se vendi i tij dhe vendet e tjera anëtare të CEEC-it e kanë parë gjithmonë bashkëpunimin me Kinën si shanc të madh. Ai tha se kooperimi ekonomik me Kinën nuk do të vështirësohet prej pengesash politike. Hungaria shprehet rrallë për çështjen apo gjendjen e të drejtave të njeriut në vendet, me të cilat bën tregti dhe biznes. Kurse përfaqësuesit e BE-së i akuzojnë qeveritë e Polonisë dhe të Hungarisë që shkelin edhe vetë parimet e shtetit ligjor.
Projekti kinez “Rruga e re e mëndafshit” nuk shihet pozitivisht kudo në Evropë. Ministri i Jashtëm Sigmar Gabriel (SPD) paralajmëroi prej një përçarjeje të Evropës dhe u shpreh se pas këtij projekti gjendet një strategji e madhe gjeopolitike, kulturore, ekonomike dhe në fund ndoshta edhe politike, së cilës BE-ja për momentin nuk ka si t’i kundërpërgjigjet.
DW