Nga Spartak Ngjela
E gjithë mendja e lartë analitike dhe politike e Perëndimit konstaton sot me keqardhje se:
“Shqiptarët janë një popull në ngritje në Ballkan; por në Tiranë drejton ende një makutëri injorante e korruptuar që nuk pranon drejtësinë shoqërore dhe demokracinë”.
Shqiptarët kanë njëqind vjet që nuk drejtohen me arsye politike, por drejtohen nga injoranca politike pasionante; sot i drejton një klasë politike e korruptuar që nuk pranon drejtësinë si koncept perëndimor dhe qeverisjen si përgjegjësi që kontrollohet me anë të ligjit.
Liderët shqiptarë kanë njëqind vjet që shesin interesin kombëtar te fqinjët, të cilët iu kanë grabitur territoret dhe kanë skllavëruar pjesën më të madhe të shqiptarëve. I fundit që shiti territor ishte Sali Berisha”.
Ka njëqind vjet që në Beograd bërtasin: “blejini!”
Politika shqiptare sot është e korruptuar deri në poret e saj, ka bllokuar zhvillimin perëndimor të Shqipërisë dhe është e bashkuar si bllok kundër Reformës në Drejtësi që ka strukturuar me ekspertizë politika amerikanë dhe ajo gjermane.
Kundër korrupsionit aktual shqiptar të inkriminuar dhe me miliarda dollarë nëpër banka fantazmë; po ushtrohet forcë permanente nga politika atlantike, sepse lidershipi politik i të dy krahëve, është i bashkuar kundër Reformës në Drejtësi dhe të gjithë zhvillimit demokratik të Shqipërisë.
Politika amerikane dhe ajo gjermane thekson se:
“Kjo forcë dhe ky presion atlantik kundër lidershipit të korruptuar shqiptar, duhet rritur edhe më tej derisa korrupsioni shtetëror shqiptar të dorëzohet pa kushte”.
Dhe kanë të drejtë.
Kudo sot ka riafirmim historik të popullit më të lashtë në Europë: shqiptarëve.
Shqipëria vetë duhet të jetë në pararojë, kurse në Tiranë qeveria aktuale bllokon zhvillimin se ajo drejtohet nga një kryeministër të cilin e penalizon Reforma në Drejtësi.
Por asgjë nuk është e rastit; sepse edhe kjo qeveri që drejton sot ka rënë në MAKUTËRINË e traditës së qeverisjes njëqind vjeçare në Shqipëri.
Historia e shqipërisë njeh tani tre makutëri politike në qeverisje, të cilat kanë qënë dhe janë pengesa kryesore e zhvillimit shqiptar.
Le ti shohim më radhë të tria.
l.
MAKUTËRIA E PARË është makutëria politike e Enver Hoxhës që, duke shkelur mbi gjakun e dëshmorëve të Luftës Nacional-Çlirimtare, vrau të gjithë intelektualizmin shqiptar; të gjithë patriotizmin shqiptar dhe firmëtarët e pavarësisë; të gjithë krerët e luftës Nacional-Çlirimtare; skllavëroi një milionë shqiptarë me punë rropatëse nëpër kooperativat bujqësore; burgosi dhe internoi këdo që mendonte ndryshe; ishte kundër qytetërimit perëndimor dhe i imponoi Shqipërisë një izolim makabër nga Perëndimi – dhe të gjitha këto për të ushqyer patologjinë skizofrenike për pushtet të Enver Hoxhës, deri sa ky vetë, edhe i marrosur dhe i humbur; vriste sa herë që i vinte mendja edhe pse e shtynin në karrocë.
Është rast unik në histori që pasi i shpallte heronj të popullit bashkëpunëtorët e tij, Enver Hoxha i vriste për sadizëm si tradhëtarë.
MAKUTËRIA E DYTË vjen me banditizmin në taborin vjedhës, në periudhën 1992 – 2013 me kampion, drejtimin Berisha si makutëri e dytë. Dhe ja aspektet e saj:
Shitje e interesit kombëtar; anarki urbane; shkatërrim i të gjithë veprave industriale; antiintelektualizëm ekstrem, inkriminimi i shtetit shqiptar; varfërimin ekstrem dhe jo pa qëllim të Shqipërisë; bllokimin e investimeve të kompanive të mëdha perëndimore; shkatërrimi i drejtësisë më anë të korrupsionit: shkatërrim të kulturës shqiptare me metodën e luftës së klasave; shkatërrimin e akademizmit shqiptar me histeri prej lufte klase; degradim të intelektualizmit shqiptar – dhe të gjitha këto me qëllim të paracaktuar antishqiptar – shpejt do ta dëgjoni nga FBI pse-në e të gjithë kësaj për të gjithë kryeministrat që kanë kaluar.
MAKUTËRIA e tretë është makutëria Rama. Ky donte pushtet me çdo kusht vetëm si ushqim të sëmundjes tij; nisur nga ky shkak është kryeministri i parë që u bashkua hapur me krimin e rrugës.
Perëndimorët duan një reformë për të sjellë drejtësinë në Shqipëri, kurse ky kryeministër tani, brenda makutërisë së tij, vërtitet në jerm për të fituar dy muaj pushtet dhe po bllokon Reformën në Drejtësi, se ajo e kap.
Është i mumdur; dhe nuk i besohet. Se nuk ka mend. Po, po të kishte mend nuk do shkonte në shpellën e dreqit, por do të zbriste në qytet.
Nuk bën dot gjë. Ka marrë përsipër nga pasioni të drejtojë një mekanizëm që nuk di as si hapet dhe as ku mbyllet.
Në fakt kjo ka qënë Shqipëria që nga viti 1917: ajo ka ecur pa drejtim.
Por ky drejtuesi i sotëm është turpi i të gjithëve: do bëhet përditë e më qesharak se është i kapur dhe mendon se me gënjeshtra fëminore mund të mundë amerikanët dhe gjermanët.
Po e rëndon veten edhe më shumë.
Aktualisht po e varros kanabisi, sepse Rama ka rënë në një self induce lost: sepse duke menduar që me kanabisin do të garantonte pushtetin e tij, në fakt kapi shkatërrimin.
Por ende mendon se ka shpresë.
Shpresa e tij për të parë dritën normale të diellit si çdo njeri i thjeshtë në Shqipëri është dorëheqja e tij si kryeministër sa më shpejt që të jetë e mundur.
Nuk mund të jetë shpëtimi i tij bllokimi i Reformës në Drejtësi, se ajo është e pamundur të ndalohet. Të bllokosh reformën në drejtësi sot në Shqipëri, do thotë që të mundësh politikën amerikane. Por a mund të mundet politika amerikane në një vend, populli i të cilit është 97 përqind proamerikan dhe kryeministri i bashkuar me krimin?
Naiviteti nuk ka brirë.
ll.
Edi Rama nuk drejton dot, dhe ka rënë në faliment nga fakti që ka një dëshirë të shfrenuar që të drejtojë si kryeministër, por ka një kapacitet mendor nën mediokër që nuk i jep mundësi të drejtojë; dhe kjo do ta shtyjë sot drejt lëvizjeve qesharake.
Shpejt do të ekspozohen faktet. Korrupsioni shqiptar është i kapur tërësisht me fakte.
Por edhe Rama edhe Berisha duhet të dinë mirë një gjë:
Fatkeqësia e korrupsionit nuk mund të kthehet për të qenë edhe fatkeqësia e Shqipërisë.
Shqipëria sot është e siguruar; ajo nuk mund të destabilizohet nga patologjia e korrupsionit shtetëror shqiptar të falimentuar.
Koha e makutërisë politike po bën dorëzimet.