Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK) është proces që garanton sigurinë e të gjithë qytetarëve të Kosovës, gjitha komuniteteve, si dhe kontribuon në sigurinë rajonale.
“Në prag të “Ditës së Forcës”, Qeveria e Republikës së Kosovës është e bindur dhe krenare për arritjet e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Rruga e ndjekur e institucionit dhe pjesëtarëve të FSK-së është rrugë e bazuar në përkushtim, sakrificë dhe ndershmëri.
Sot, FSK është profesionale, multi-etnike, si dhe e trajnuar mbi standardet dhe parimet demokratike të forcave të sigurisë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook, transmeton Koha.net.
Ai ka shtuar se, “transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK) është proces që garanton sigurinë e të gjithë qytetarëve të Kosovës, gjitha komuniteteve, si dhe kontribuon në sigurinë rajonale”.
Haradinaj gjithashtu ka shkruar edhe sa u përket numrit të komuniteteve në FSK, për të cilin thotë se do të rritet në të ardhmen. (b.an)