Mediat greke publikojnë detaje të reja në lidhje me gomonen me drogë të kapur nga policia një ditë më parë, pasi ishte nisur nga jugu i Himarës.
Sipas mediave greke, droga e sekuestruar brenda gomones 12 metra të gjatë i kalon 2 tonë.
Në pranga ranë 6 persona, 4 shqiptarë dhe dy italianë. Operacioni zgjati 48 orë. Gomonia, të paktën 12 metra e gjatë, me 3 motorë nga 350 kuaj fuqi secili, u kap në thellësi të ujërave greke, pasi nisja e saj ishte interceptuar më parë nga brigjet shqiptare.
Autoritetet i bënë shenjë gomones të ndalojë, por ishte e pamundur, ndaj filloi ndjekia për gati 22 orë. Pasi është qëlluar me snajper, gomonia është ndalur dhe 3 personat që ndodheshin në të u arrestuan.
Bëhet fjalë për dy shtetas shqiptarë dhe një italian, ndërsa dy shqiptarë të tjerë dhe një italian u arrestuan në Athinë.
Saktësohet se gjatë ndjekjes, policia greke ka hapur zjarr në drejtim të gomones, duke lënë të plagosur njërin prej trafikantëve.
SI U PIKAS GOMONIA
Policia greke e ka pikasur gomonen teksa kalonte pranë ishullit të Korfuzit dhe e ka ndjekur deri në brigjet e ishullit Tzia në Athinë. Në ishullin Tzia, gomonia është qëlluar me snajper nga policia që i ndiqte me helikopter, ndërsa herë pas herë ka pasur shkëmbim zjarri me trafikantët.
a.ç