Tahiri thotë se deklaratat e Simmons dëmtuan imazhin e EULEX’it. Denoncimi i ish-kryetarit të Gjyqtarëve të EULEX’it, Malcolm Simmons, për korrupsion brenda EULEX’it e ka dëmtuar imazhin dhe misionin e këtij institucioni.
Kështu thotë Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.
Tahiri tha se Misioni i EULEX’it nga qershori i vitit 2018 nuk do të jetë më pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës.
“Ne po hyjmë në fazën tranzitore. Që do të thotë transferimin e të gjitha lëndëve që kanë qoftë në gjykata apo prokurori.
Kjo fazë do të thotë që çdo gjë që kanë misioni i EULEX’it që ndërlidhet me institucionet e Kosovës do të barten në institucionet e drejtësisë”, theksoi Tahiri për televizionin 21.
Ministri mendon se ky mision ka ndihmuar në sundimin e ligjit në Kosovë.“Pavarësisht akuzave për korrupsion në këtë mision, ka pasur njerëz që janë angazhuar në fuqizimin e rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës”, përfundoi ministri. (b.an)