“Na ulën në tokë dhe na thanë lini telefonat. Njëri qëlloi njëherë. Na thanën ‘ikni përpara dhe mos ktheni kokën’. U detyruam që të ecnim para sepse ishin me automatikë në duar dhe të maskuar”.
Ky është rrëfimi dramatik i një prej pasagjerëve të fuoristradës që ra dje pre e grabitjes. Tre persona të maskuar dhe armatosur me kallashnikovë, i kanë dalë para automjetit, ku udhëtonin 7 pasagjerë, në Kir të Dukagjinit.
Pasagjerët tregojnë për ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ se njëri prej grabitësve fillimisht ka qëlluar gomën e makinës dhe më pas ka detyruar të gjithë të zbresin. Menjëherë u kanë marrë telefonat ndërsa shoferit edhe paratë, rreth 1 milion lekë të vjetër që kishte me vete. Grabitësit i kanë detyruar 7 personat që të largohen dhe nëse ndonjëri do kthente kokën i kanë kërcënuar se do t’i vrasin. Pasi janë larguar fouristradën grabitësit e kanë djegur totalisht duke mos lënë asnjë gjurmë. Pasagjerët tregojnë momentin e tmerrshëm.
“Kemi qenë në makinë si pasagjerë kur papritur na dolëm 3 persona përpara të maskuar, me rroba të zeza dhe me automatik në dorë. Na kërkuam që të ulemi nga makina dhe të dorëzojmë telefonat. Ne ashtu bëmë sepse s’kishim rrugë tjetër. Shoferit i morën edhe portofolin ndërsa unë s’kisha para por as pasagjerët e tjerë. Na urdhëruan që të ecim drejt dhe të mos kthenim kokën mbrapa. Na thanën që kush kthen kokën do të vritet. Ne vazhduam rrugën dhe kemi ecur në këmbë për rreth 50 minuta deri sa kemi shkuar tek një lokal që është më poshtë dhe aty është njoftuar policia. Në ato momente kishim frikë dhe e lamë veten për të vdekur”, thotë një tjetër dëshmitar në ngjarje.
Me dhjetra forca policie kanë mbërritur në vendngjarje duke marrë në pyetje dëshmitarët dhe shoferin për atë që ka ndodhur. Pas hetimeve paraprake 6 persona janë shoqëruar mes të cilëve dyshohet se janë 3 autorët e grabitjes. Tre shtetas nga të shoqëruarit janë nga Shoshi i Dukagjinit dhe tre të tjerë nga Pulti. Ngjarja ka bërë bujë tek banorët e Dukagjinit të cilët tashmë kanë frikë të udhëtojnë ndërkohë që në atë zonë grabitjet kanë ndodhur edhe më përpara. /b.d