Nga Halil Matoshi
I bindur se dënimi i Ratko Mladiqit me burg të përjetshëm – ndonëse i vonuar – është satisfaksion moral në radhë të parë për viktimat e brutalitetit më të egër të një regjimi dhe vendosje e drejtësisë ndërkombëtare.
I vetëdijshëm se krimineli Mlladiq është prodhim i një politike fashizoide dhe si e tillë, ajo ka marrë një dënim meritor;
I qetë prandaj se drejtësia ndërkombëtare është sinonim i ngadhnjimit të së mirës ndaj anës së ligë të njerëzimit.
Ish-komandanti i ushtrisë serbe të Bosnjës, Mladić, i njohur në përmasa botërore edhe si “Kasapi i Bosnjës”, është shpallë i fajshëm për krime lufte kundër humanitetit, pas më shumë se 20 vjetësh prej masakrës së Srebrenicës.
Mladiq, megjithatë ëshët liruar nga akuza për gjenocid, fakt ky që lëndon një komb të tërë, atë boshnjak, akt që do të mbetët megjithatë njollë e epokës sonë, sepse në Bosnjë është kryer gjenocid nga ish Republika Federale e Jugosllavisë, ndaj një grupi etnik, fetar, kulturor dhe shoqëror.
Populli i Kosovës më këtë rast, përkujton publikun botëror se regjimi i Slobodan Milośević-it dhe gjeneralët e tij kanë aplikuar edhe në Kosovë të gjitha krimet e përshkruara në aktakuzën kundër Mlladiqit, në veçanti krime kundër njerëzimit, vrasje, vepra johumane të shpërnguljes së dhunshme, deportim, terrorizim dhe sulme të paligjshme kundër popullatës civile si dhe marrje të pengjeve, porse denimet e shqiptuara për lidershipin politik dhe ushtarak e policor të Serbisë nga TPIJ janë të buta, gjë që nuk japin sinjale të qarta se këto krime monstruoze nuk do të përseritet kurrë më.
Është sinjal tepër trishtues për brezat që vijnë tendenca e rehabilitimit të kriminelëve, sishokëve të Mlladiqit, edhe në rastin e Kosovës.
Në këtë sfond, shpreh bindjen e thellë se emërimi për mësimdhënie në Akademitë e ushtrisë serbe kinse si ligjerues, i disa gjeneralëve serbë që kanë marrë pjesë aktive në krimet kundër njerëzimit në Kosovë (që janë vërtetuar nga TPIJ) është mesazhi më fatkeq për këtë brez të serbëve por edhe për brezat e ardhshëm, sepse justifikimi dhe rehabilitimi i krimeve kundër njerëzimit, në çfarëdo forme është tendencë e hapur që brezat të mbahen pengje të një politike kriminale, e cila, varësisht nga kontekstet gjeopolitike, mund të prodhojë sërish situata gjenocidiale në rajonin e Ballkanit Qëndror dhe Perëndimor.
Serbia e Millosheviqit i ka vrarë 11 mijë civilë shqiptarë, ka djegur e shkatërruar 130 mijë shtëpi, ka marrë pengje luftë rreth 4 mijë të tjerë, ka përdor si mjet lufte dhunimin seksual të mijëra grave shqiptare, dhe në fund përmes Operacionit të koduar “Patkoi” ka deportuar me “Trenat e vdekjes” rreth 800 mijë shqiptarë etnikë të Kosovës jashtë kufijve të saj, krime këto, për të cilat Serbia zyrtare ende nuk ndjen keqardhje dhe nuk kërkon falje, në ndërkohë që ende, 18 vjet pas konffliktit të armatosur, ndjek e persekuton shqiptarët e Kosovës ish guerilët e UÇK-së – përmes fabrikimit të akuzave, të provave e dosjeve – duke i shfrytëzuar disa mekanizma ndërkombëtar, siç është Interpoli dhe në këtë sfond krijimi i një Gjykate Speciale në Kosovë, për të ndjekur vetëm krimet eventuale të shqiptarëve të cilët ishin rebeluar kundër shtypjes së përmasave gjenocidiale, del si mesazh se drejtësia ndërkombëtare në Kosovë po ndëton gjykatë që ndëshkon një etni kundruall etnisëër!?
Mesazhi që dha sot Tribunali i Hages duhet t’u shërbejë në radhë të parë qeverive të rajonit dhe veçanërisht asaj të Republikës së Serbisë, për t’u ballafaquar me guxim me të kaluarën dhe për të reflektuar më shumë vendosmëri për të ardhmen, për t’u thënë jo politikave etnonacionaliste si dhe të nxisë më shumë mirëkuptim për viktimat, për një paqe të qëndrueshme dhe pajtim ndërmjet popujve të kësaj hapësire të Europës.
Ky verdikt i Tribunalit duhet të vlejë për Qeverinë aktuale të Beogradit si këndellje për të marrë kursin e pajtimit dhe njohjes reciproke edhe me shtetin e Kosovës, për t’i dhënë zemër përqafimit të vlerave të përbashkëta europiane dhe për ta inkurajuar synimin e popujve të rajonit tonë drejt integrimeve europiane.