Mesazhi i Mimoza Hafizit për Ben Blushin
Të nderuar kolegë! Siç shumica prej jush janë në dijeni, dy ditët e fundit jam akuzuar, agresuar dhe fyer rëndë, përmes mesazhesh publike nga kryetari i LIBRA- s. Preteksti ishte drafti i statutit, të cilin unë e kam bërë shumë transparent, përmes të gjitha dokumenteve të shkëmbyera bashkërisht, prandaj nuk dua të shpenzoj fjali të tjera për të. Ju shkruaj për tju thënë se unë nuk mund të marr pjesë në asnjë mbledhje a takim të thirrur nga z.Blushi, nëse ai nuk më kërkon ndjesë publike përpara gjithë grupit ku ka shkruar për akuzat e pabaza dhe fjalorin e padenjë drejtuar ndaj meje. Më besoni do të ishte cenuese për dinjitetin tim nëse bëj të kundërtën.
Do ju cenoja edhe ju, një pjese të madhe prej jush, nëse unë si bashkëthemeluese kryesore e organizatës ku erdhët me parime të forta politike dhe etike, do të bëhesha palë me ato sulme që më janë drejtuar. Kurse personalisht jam e prekur që këto fjalë vijnë nga njeriu që kam mbështetur më shumë, me ndershmërinë dhe sinqeritetin më të madh. Duke shkelur hera-herës edhe mbi veten time, por duke besuar në një kauzë, të cilën isha e vendosur ta çoja në destinacion, në 25 qershor.
Nëse ende besoni se LIBRA mund të jetë një organizatë ku forcën e kanë njerëzit me parime dhe etikë, organizatë e papajtueshme me intrigën, thashethemet, helmin, ligësinë e paranojën dhe nëse luftoni për të arritur këtë, unë jam aty. Do të më keni në krah me po atë përkushtim, mirësjellje dhe luajalitet, si në ditën e parë. Por kjo nuk është e lehtë dhe ka nevojë për kontributin e gjithëseicilit. Unë kam bërë shumë beteja në jetën time dhe zhgënjimin e kam të madh. Kam nevojë për shumë besim, që ky zhgënjim të më kthehet në shpresë. Do e uroja me gjithë zemër.
Përgjigjja e Ben Blushit
Pension të mbarë Moza. Besoj se LIBRA të ka dhënë shumë mundësi për të kaluar kohën e mbetur me njerëz të ngjashëm, disa prej të cilëve i ke shtuar pabesisht në këtë email. Unë nuk ndaj asgjë me hileqarët kushdo qofshin ata. Libra vazhdon rrugën si çdo krijesë që i hedh gjërat e përdorura në kosh.
ma.me/javanews.al