Bashkia e Tiranës ka nisur sensibilizimin e qytetarëve për të hedhur mbetjet në vendet e përcaktuara.
Në disa raste mbetje të ndryshme hidhen jashtë koshave; në disa raste të tjera mbetje të sasive të mëdha hidhen në koshat e vegjël të cilët janë të papërshtatshëm për këto lloje mbeturinash, madje dëmtojnë edhe vetë koshat nga sasia dhe pesha e rëndë.
Kjo video e regjistruar shumë pranë qendrës së Tiranës e ilustron më së miri situatën, ku një grua, ndonëse në moshë dhe që duhet të ishte model qytetarie edhe për brezat e rinj, do ju bëjë të ngrini dyshime të forta mbi kulturën që kanë qytetarët. Punonjësja e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorëve e ka këshilluar të moshuarën që plehrat ti hedhë vetëm pak metra më tutje ku është koshi i mbeturinave. Ndërkohë për të pabindurit dhe për ata që përsërisin shkeljet duke ndotur qytetin dhe mjedisin tonë të përbashkët, nuk kanë munguar as masat administrative duke vendosur gjoba ndaj individëve apo bizneseve.
“Pavarësisht masave të vazhdueshme të marra nga Bashkia e Tiranës, kjo situatë kërkon padyshim edhe kontributin e qytetarëve në këtë drejtim, për të kuptuar se Tirana është shtëpia jonë e përbashkët dhe duhet të kujdesemi për pastërtinë e saj ashtu siç kujdesemi për shtëpitë tona”, shkruan bashkia në reagimin e saj.