Emisioni “Java” në RTSH ka zbardhur detaje të reja në lidhje me ndalimin e biznesemenit Orest Sota të cilit i’u gjetën në makinë 863 mijë euro dhe 2 patenta të ish-ministrit Saimir Tahiri. Zbardhja e tabulateve telefonike ka zbuluar korespondencat mes biznesmenit dhe përfaqësuesve të firmës Kurum, që vërtetojnë kontratat për blerjen e hekurit. Gazetari Lorenc Vangjeli ka dhënë detaje mbi provat e reja.
“Ka një zhvillim dramatik në hetim. Në dosje, prokuroia ka mundur të sigurojë tabulatet mes biznesmenit të hekurit dhe Kurumit, në ditët para dhe në mbrëmjen që ka ndodhur ngjarja. Janë zbuluar edhe 2 kontrata për blerje të një sasie hekuri që shkon deri në 4 mijë ton nga uzina e Kurumit dhe që do të importohet ng Turqia, në dy episode të veçanta. Ngjan pothuajse e provuar se shuma e kapur në makinë 863 mijë euro, shërbente si garanci për këto 2 kontrata, një blerje që do të zhvillohej duke u paguar cash. Ky zhvillim i ri shfryn një pjesë të madhe të dilemave që kanë shoqëruar këtë ngjarje e cila u bë edhe më e bujshme për shkak të patentave të Tahirit që u gjendën në makinë”, deklaroi gazetari Vangjeli.
Gazetari investigativ Artan Hoxha tha se është pikërisht kështu dhe se 1 javë më parë gjithashtu kishte raportuar për mënyrën informale të operimit të Kurum në treg.
Analisti Zogaj, duke komentuar këto zhvillime të reja të hetimeve, inkurajoi prokurorinë dhe e nxiti atë drejt zbardhjes të së vërtetës. “Është më e vëhtirë të manipulohet se zbardhet e vërteta”, tha Zogaj në emisionin Java.
Të tre analistët pohuan ngjashmërinë mes dy hetimeve paralele në qytetin e Elbasanit. Njëri prej të cilëve përfshin hetimin e një liste prej mbi 60 personash në qytet për asetet e tyre.
Ngjan se të dy hetimet kanë edhe një prapavijë politike dhe që lidhen dhe me 2 momente domthënës, fundin e mandatit të kryeprokurorit në fillim të Dhjetorit. Dhe vettingun mbi organin e prokurorisë./JavaNews