Pak ditë pas vizitës së zv. Presidentes së Bullgarisë në Shqipëri, pakicat Bullgare të klasifikuar si minoritet në vendin tonë, kanë reaguar në lidhje me respektimin e të drejtave nga shteti.
Pakicat bullgare në fshatrat e Gores në Kukës kanë kërkuar që në shkolla fëmijët e tyre krahas mësimit të gjuhës shqipe të mësojnë edhe gjuhën bullgare dhe kjo gjuhë të futet në kurrikulat arsimore.
“Sipas gjuhës që kemi duhet të mësojmë edhe shkollë, duhet ta mësojmë edhe atë të jetë edhe me shkrim edhe me këndim. Deri tani nuk është njohur kështu vetëm e kemi folur, por nuk e kemi shkruar”-thotë një banorë
“Shqiptarë nuk jemi, por në Shqipëri jetojmë. Nuk e dimë se çfarë jemi, ne jemi, me një fjalë gjuha na bashkon. Qingji më mirë duhet të thithë dy nëna sesa një. Neve duhet t’i thithim të dyja, edhe andej duhet të hamë edhe këtej. Kërkojmë sistem arsimor në gjuhën bullgare”-shprehet një tjetër.
“Atë që ka njohur parlamenti për pakicë kombëtare, atë gjuhë duam edhe ne”-thotë një banor tjetër.
Shumë banorë të kësaj zone janë pajisur edhe me pasaporta bullgare. Siç shprehen edhe vetë ata, kjo është një mundësi që ata të lëvizin lirë në Europë, falë kësaj pasaporte, por janë të paktë ata që mund të flasin me siguri për prejardhjen e tyre të vërtetë. /Shqiptarja.com/