Komandanti i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropën, Ben Hodges, thotë se nuk beson se Qendra Ruso-Serbe në Nish është vërtet një qendër humanitare, ndërsa tregon edhe se sa do të qëndrojnë ushtarët amerikanë dhe KFOR-i në Kosovë.
Hodges, në intervistën për portalin serb Insajder.net, i pyetur se a ekziston një plan që KFOR-i të largohet nga Kosova, është përgjigjur se për këtë ‘vendos Aleanca’.
Ai ka thënë se së paku edhe 5 vjet NATO do të qëndrojë në Kosovë,transmeton Gazeta Express.
“Unë e kam për detyrë të siguroj pjesëmarrjen e ushtarëve të SHBA-ve në misionin e KFOR-it. E, me sa e shoh unë, të paktën pesë vjet s’e kemi ndër mend ta braktisim Kosovën, sepse janë siguruar resurset për pesë vitet e ardhshme”, ka thënë Hodges.
Ai gjithashtu ka shprehur bindjen se e ashtuquajtura qendër humanitare paraqet “fasadë” dhe se “nuk është ajo për të cilën prezantohet”.
Në pyetjen e portalit serb se a qëndron problemi me Qendrën Ruso-Serbe në faktin se gjendet afër bazës Bondstil në Kosovë, Hodges është përgjigjur se ajo qendër do të duhej të punojë në mënyrë transparente dhe se ai do të kishte dashur të marrë një ftesë për ta vizituar.
“Unë nuk besoj se ajo është një qendër humanitare, ajo është një fasadë dhe nuk është e tillë çfarë prezantohet”, është shprehur gjenerali amerikan./a.m.