Shefja e diplomacisë së jashtme të Bashkimit Europian Federica Mogherini është shprehur se politika shqiptare ka treguar vullnet sa i përket luftën kundër trafikut të kanabisit, duke ju referuar këtu çështjes “Tahiri”.
Gjatë një konference në Bruksel me ministrin e Jashtëm shqiptar, Mogherini u pyet nga gazetarja Erisa Zyka nëse është treguar vullnet politik kur Parlamenti i Shqipërisë votoi kundër kërkesës për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri në lidhje me hetimet për trafik droge.
Federica Mogherini u shpreh se nuk mund të bëjë komente për gjyqësorin për sa kohë që hetimi ndaj Tahirit është në zhvillim, por theksoi se trafiku i drogës duhet të trajtohet me shumë seriozitet dhe për këtë Shqipëria ka treguar vullnet politik.
“Kultivimi dhe trafikimi i drogës duhet të trajtohet në mënyrë serioze. Mos komentojmë për hetimet që janë ende në vijimësi dhe nuk do të ishte e saktë për këdo që të bënte komente për gjyqësorin. Trafikimi i drogës është një përparësi kyçe e BE që e ndajmë me Shqipërinë dhe është një nga elementët kyç në rrugën tonë përpara. Shoh vendosmëri dhe shoh edhe bashkëpunimin ndërmjet agjencive të zbatimit të ligjit. Shoh vullnet politik, natyrisht që duhet të shikojmë rezultate të qartë”, u shpreh përfaqësuesja e lartë e BE.
Një përgjigje e pati edhe ministri Bushati, por ndryshe nga zonja Mogherini ai i tha gazetares se pyetja për zotin Tahiri kishte dhe një koment politik.
“Përgjigjja që keni pasur nga parlamenti shqiptar, ka qenë e qartë. E drejtpërdrejtë. Ne kemi lejuar hetime kundër ish-ministrit të Brendshëm, i është hequr imunitetin që i ka dhënë një mundësi prokurorëve që të hetojnë ish-ministrin e brendshëm, për të bërë kontrolle në shtëpi për ta vëzhguar 24 orë. Të jetë i gatshëm të dalë para drejtësisë. Duhet të kemi durim, pasi gjyqësori nuk duhet të jetë një instrument në dorën e partive”.
a.ç