Intervistoi Andrea Danglli
“Kush është “hajduti i pulave”, që shndërrohet në biznesmen dhe më pas futet në politikë?”
Kjo është pyetja provokative që ka ngritur këto ditë në opinionin publik ish-deputeti Namik Dokle.
Në një intervistë për gazetën “TemA”, Dokle ka rrëfyer librin “Lulet e skajbotës” dhe ndikimin e tranzicionit të gjatë në penën e tij.
Politikani “veteran” i Parlamentit, fton lexuesin për t’u njohur me një zinxhir ngjarjesh dhe personazhesh që në bosht mbajnë dramën e emigracionit masiv gjatë viteve të demokracisë.
Ai tregon edhe mbi “ditarin sekret” në të cilin ka përshkruar ngjarjet reale të jetës së tij pa lënë mënjanë edhe momente të rëndësishme nga bashkjetesa 27 vjeçare me politikën.
Më tej, Dokle adreson edhe një mesazh për ligjvënësit duke i këshilluar ata që të bëjnë politikë, por mos e shajnë Shqipërinë.
Z.Dokle, shpesh herë sillni në vëmendje termin “hajdut pulash” për ligjvënësit. Jam kureshtar të di, nën gjykimin tuaj ka pasur më shumë “hajdutë pulash” apo politikanë që kanë hyrë në Kuvend?
Andrea, kjo është marrë pak në mënyrë pexhorative pasi libri nuk merret veç me këtë element. Ai flet më tepër se kaq pasi përshkruhet drama e emigracionit në Shqipëri këto 27 vite. Natyrisht që kjo nuk është veç një dramë e jona, por rezulton e përbotshme. Unë nuk përshkruaj vuajtjet e emigrantëve ku kanë shkuar, por boshllëkun që lenë në vendin, fshatin apo familjen e tyre. Problemi thelbësor që ngrihet është se si mund të dalim nga kjo situatë pasi njerëzit nuk gjejnë këtu atë ç’ka dëshirojnë të kenë dhe natyrisht që do t’i drejtohen rrugëve të tjera.
Kur flasim për emigracion gishti shkon menjëherë tek politika…
Po, kjo është një ndër përgjegjësitë e politikës e cila nuk mundi për 27 vjet. Kuptohet që nuk mund të ketë dramë pa pasur lidhje me politikën apo politikanë që kanë hyrë apo do të hyjnë jo për të përmbushur obligimet para zgjedhjeve por për të përmbushur ambiciet pasurore.
Kam një personazh të tillë në libër i cili dikur ishte hajdut pulash dhe sot është bërë biznesmen madje tashmë synon të kapë edhe një karrige parlamenti.
Sjell në kujtesë fillimet e demokracisë kur një kundërshtari im politik atë kohë thoshte:“Të gjithë bashkëvuajtës, të gjithë bashkëfajtorë”. Për kohën ka qenë e saktë por sot nuk mund të jetë më pasi aktualisht ka vetëm fajtorë dhe vuajtjes. Nuk ka të bëjë veç me një njeri por me një sistem të tërë politik që ka pasur ndikim në zhvillimin e vendit.
Cilat ishin reagimet e para pas botimit të librit. A keni marrë ndonjë telefonatë nga “hajdutët e pulave” që kanë gjetur veten mes rreshtave?
Telefonata ende nuk kam marrë por jam i sigurt se ka mjaft individë që do të personifikojnë vetveten në librin tim. Letërsia është fushë që nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me njerëz konkretë. Ka realitet konkret por ai është ndryshe nga sa ballafaqohemi në jetën e përditshme.
A ekzistojnë elemente autobiografikë në romanin tuaj? Ku jeni referuar?
Jo, nuk ka elementë autobiografikë. Unë jam pro lëvizjes së lirë por jo braktisjes së vendit. Të lëvizim në mënyrë të rregulluar që mos ndjehet braktisja masive. Mund t’ju them se indicjen e kam marrë nga mjaft ngjarje të cilat i kam përjetuar gjatë viteve të bashkëjetesës sime me politikën. Theksoj se një nga momentet që ka lënë gjurmë të theksuara mbi mua, ka qenë rasti kur më ndodhi të merrem me sjelljen e kufomave të 11 emigrantëve në Shqipëri.
Dritëro Agolli gjatë një interviste që i kam marrë tregoi se letërsia e mirë është e përjetshme ndërsa politika e përkohshme, duke konkluduar kështu mbi këtë raport. Mendoni se Dokle do të ishte më i vlefshëm për shqiptarët nëse do të qëndronte në letërsi?
Nuk e di nëse do të ndodhë me mua për të qenë i përjetshëm në letërsi pasi është e vështirë ta përfytyroj. Unë jam i kënaqur me aq sa kam mundur të bëj si në letërsi dhe si në politikë.
Më lejoni që të ndaj me ju një frazë nga fjala e kritikut të letrave Agim Baçi i cili është shprehur se, “Namik Dokle politikan do ta ketë zili Namik Doklen letrar”.
Pasionin për letrat e kam të hershëm. Kujtoj që tregimin tim të parë e kam hedhur në letër në moshën 13 vjeç dhe më vonë kam qenë aktiv në shtypin letrar të kohës. Politika më bëri që të ndërpres këtë pasion pasi ajo dhe letërsia janë “xheloze” ndaj njëra-tjetrës. Mua në këtë roman më kanë nxitur edhe fantazmat që njeriu ka në jetën e tij. Fantazma që jetojnë për një kohë me ne.
Do gjejmë dhe fantazma politike besoj…
Mund të gjenden edhe fantazma të tilla pasi jeta është e gërshetuar mes të mirës dhe të keqes, mes politikës dhe jetës reale. Këtu s’i drejtohem shumë politikës pasi për mua misioni i letërsisë nuk është të shkruaj për ata që e bëjnë historinë, por për viktimat e historisë që gjejmë në jetën tonë të përditshme.
Ndalemi tek viktimat e historisë meqë po i përmendni. Ju keni një jetë të gjatë parlamentare dhe jeni dëshmitar i zhvillimeve kryesore të trazicionit. A keni vendosur që t’i shkruani kujtimet tuaja?
Unë nuk kam ndërmend që të shkruaj kujtime. Nëse do më nxitet dëshira për të risjellë momentet e së shkuarës, atëherë e vetmja gjë që mund zgjedh është të botoj ditarin tim. Personalisht kam mbajtur ditar që prej vitit 1968 kur isha gjimnazist dhe deri në moshën 70 vjeçare. Në ditën që festova 70 vjetorin vendosa mos shkruaj më.
Pse nuk e botoni? Sa i sinqertë është blloku juaj i kujtimeve?
Sot për sot nuk mendoj se do ta botoj por mund t’ia le fëmijëve të mi apo nipërve dhe mbesave.
Ditari përbëhet nga 3000 faqe ku përshkruhen ditët më të rëndësishme të jetës. Absolutisht, kam përshkruar çdo gjë siç e kanë parë sytë e mi. Nëse letërsia ka personazhe imagjinarë që marrin spunto nga jeta, ditari ka personazhe realë dhe ju garantoj se atje mund të gjesh opinione, ngjarje, shënime dhe gjithmonë për njerëzit që unë kam punuar dhe kam jetuar.
Veç ditarit, pas librit “Lulet e skajbotës” keni rezervuar ndonjë surprizë për lexuesin?
Unë kam filluar të shkruaj një roman të ri. Besoj se libri i parë “Vajzat e mjegullës” dhe libri i dytë “Lulet e skajbotës”, kanë nevojë për një libër të tretë për të plotësuar një triptikë. Është rrëfim nga zona e Gorës prej të cilës unë vij, por që mesazhi del jashtë kësaj zone. Janë disa personazhe interesantë për të treguar se çfarë ndodh në një zonë të caktuar me refleksion më të gjerë.
Z.Dokle, ju folët lidhur me “plagë” të shumta sociale që kanë prekur vendin tonë këto 27 vite, problematika të cilat i gjejmë të ilustruara mes ngjarjesh edhe në librin tuaj. A keni ndonjë peng apo ndjenjë përgjegjësie sa i përket pozicionit tuaj si ligjvënës mbi kohën që ishit në politikë?
Ka mjaft gjëra që janë bërë mirë por ka shumë më tepër që duhet të ishin trajtuar ndryshe dhe më saktë. Kuptohet në këtë moment unë gjej edhe pengjet e mija pasi në fund të fundit kam qenë politikan për një kohë të gjatë. Tani që reflektoj, gjykoj se mjaft vendime duhet të ishin marrë më mirë. Ajo që mua më shqetëson më së shumti ku unë pranoj se jam bashkëfajtor me kolegët e mi është se “ne duhet të bëjmë luftë politike por të mos shajmë vendin”.
Nga ky pozicion si e shihni politikën? Keni ndonjë këshillë për ligjvënësit?
Politika mund të bëhet pa sharje, pa fyerje, edhe pa sulmuar fytyrën e vendit. Këtu kujtoj fjalën e Winston Churchill i cili thoshte: “Kur shkoj jashtë Anglisë nuk them asnjë fjalë të keqe për atdheun tim pasi boll të këqija kam thënë brenda parlamentit tim”. Këtë gjë do t’ia rekomandoja politikanëve të rinj dhe Parlamentit sot: “Bëni politikë por mos e shani Shqipërinë”.