“Jetë si nëpër filma”. Kështu thotë Skerdilajd Murati, i riu 28-vjeçar me profesion mësues, i cili bën çdo ditë 6 orë rrugë, vajtje -ardhje për të dhënë mësim nga Gramshi në fshatin Gjerë të Komunës Poroçan.
Skerdilajdi niset çdo ditë në orën 5 e 30 të mëngjesit nga shtëpia dhe arrin në fshatin Poroçan në orën 7:00. Prej andej përshkon një orë e gjysmë rrugë në këmbë, i vetëm përmes pyllit…
Mësuesi i ri por shumë i guximshëm rrefen edhe se si i ka shpëtuar një ujku dy ditë më parë teksa ecte malit për të shkuar në shkollë.
Skerdilajd, më fol pak për veten… Prej sa kohësh punoni si mësues?
Jam nga qyteti i Gramshit. Jam mësues në degën Gjuhë-Letërsi dhe aktualisht jap mësim në fshatin Gjerë të Komunës Porçan. E kam nisur punën si zëvendësues në shkollën e mesme “Xhezar Meci” Porocan deri në periudhën shtator 2017. Në tetor më transferojnë në shkollën 9-vjeçare të fshatit Gjere.
Rreth një orë e gjysmë në këmbë nga fshati Poroçan.
Në këmbë çdo ditë?! Po si ia bëni?! Tani në dimër sidomos…
As vetë nuk e di si ia kam bërë deri tani por tani ndjej se nuk mundem më, është shumë e vështirë…
Po më tregonit se dy ditë më parë keni parë edhe një ujk në pyll ndërsa ecnit për të shkuar në shkollë. Çfarë bëtë në ato momente?
Kisha dëgjuar që ujku trembet po të mbash një rrozgë mbrapa, ose degë peme më mirë të them. Ajo bën një lloj zhurme kur e tërheq gjatë ecjes. Përdora atë dhe funksionoi… Ç’të të them?! Jetë si nëpër filma…
Si nis një ditë e juaja? Duam të dimë itenerarin e saktë që përshkon për të mbërritur në shkollën e fshatit?
Nisem nga Gramshi në orën 5:30 të mëngjesit dhe arrij në fshatin Poroçan në orën 7:00. Pastaj aty bëj një orë e gjysmë në këmbë malit, i vetëm në mes të pyllit, për të shkuar te shkolla në orar.
Ju jeni mësuesi i vetëm në këtë fshat?
Jo janë dhe dy të tjerë por ata janë vendas, pra e kanë shtëpinë në fshat, unë rrija ku të mundja. Kjo është shtëpia që kisha gjetur edhe ku më duhet të jetoja.
Pse e bën gjithë këtë? Çfarë të shtyn të sakrifikosh kaq shumë?
Para së gjithash sepse më vjen keq për ata fëmijë, ata kanë nevojë për t’u arsimuar. Pastaj për të qenë i sinqertë, edhe për rrogën që çdokush e ka të nevojshme…
Dhe rroga juaj i justifikon këto?
Jo, janë vetëm 40 mijë lekë të reja. Por çfarë rëndësie ka paraja në fund kur përballesh me këto kushte?!
Nuk ka as rrugë, kthehesh në një njeri pylli…
Nga çfarë më thoni, duket sikur doni të hiqni dorë…
Po mendoj të largohem, të jap dorëheqjen, nuk mundem më!
E keni vendosur? Do hiqni dorë përfundimisht nga mësimdhënia në atë fshat?
As kushtin më minimal nuk kam. Jam i ri dhe dua të krijoj një familje.
Keni ndonjë apel për drejtorinë Arsimore, ministrinë e Arsimit apo vetë kryeministrin Rama?
Dua t’u them vetëm… Mos ma vrisni ëndrrën!
Newsbomb.al