Nga Anri Bala
Është kthyer në modë, që në çdo cep mediatik, ku ka pak vend bosh për të shkruar apo argumentuar, gjen “lehës” me pagesë, por që në vend që të hanë bukë, pjesën më të madhe të kohës e harxhojnë duke ngrënë m*t. Nuk mund të rri pa ua thënë, se ndjej keqardhje për ta, por prapë se prapë, i’u jap të drejtë në zgjidhjen e tyre. Gjithsecili ka të drejtë ta zgjedh vetë “ushqimin” e tij dhe nuk na lind ne e drejta që ta ndalojmë e as t’i ofrojmë tjetër “tas”, deri në momentin kur ngrënësi i … tenton që ushqimin e tij t’ua shes për “bukë lepurushi” qytetarëve, e ta kthejë në biznes profesioni.
Nuk kishte shfaqje më të shëmtuar dhe për të ardhur keq, se sa ajo kur “lehësit”, kacafyteshin me njëri tjetrin për një copë kockë. Shfaqjet e tyre me të gjitha rolet: Herë interpretonin qengjin, për të mikluar atë që i’u kishte ofruar shtesë racioni, e herë shndërroheshin në ulkonja, për të ruajtur kockën që kanë marrë, herë u lëpiheshin e jargaviteshin pagatorëve duke u premtuar besnikëri deri në vdekje, e herë u puthnin dorën agallarëve, pronarëve, gomarëve dhe pushtetarëve… por kurrë nuk ndryshuan duke mbetur ashtu siç janë: Të poshtër deri në palcë ndaj qytetarëve.
Jam vërtet i çuditur këto kohë, kur shikoj, se “lehësat” janë zhdukur nga qarkullimi. Jo për ndonjë gjë, por ishim mësuar, siç mësohet i zoti i shtëpisë me lehjet e qenit, të lidhur pas gardhit të oborrit. Nëse qeni nuk leh, duhet të trembet pronari, sepse ose e ka ngrënë ujku, ose qeni ka bërë të pamundurën: Ka këputur zinxhirin, porsa ka ndjerë erën e ujkut për të vrapuar se ndoshta shpëton.
Ndaj thashë… jam vërtet i çuditur, se çfarë ka ndodhur me “lehësat”?! Nuk ka mbetur asnjë në “pazarin” mediatik, të hidhet për të mbrojtur pronarin! “Lehësat” kanë braktisur të gjithë të zotët e tyre, sepse po vjen “ujku drejtësi”, e nuk besojmë se do zmbrapset lehtë, me sulme frontale pa front dhe kafshime dhëmbrënësh.
Konellapsit sikur janë zhdukur nga qarkullimi, apo është iluzioni im optik i perceptimit për llojin e tyre?! Në fakt ata lehin mbyturazi për krimin, kriminelë, për hashashin, dhe hashashxhinjtë, ashtu siç e mendojnë ata, që e duan këtë vend në kaos, sikurse e lanë miqtë e tyre, me shpërthimet e tritolit dhe vrasje gjyqtarësh dhe deputetësh, me shtetin brenda shtetit, ku edhe policia donte vizë në ambasadën e Lazaratit të shtetit Kolumbia.al!
Me thënë të drejtën, këto “fshatarë sqimtarë”, që të turpërojnë kur bëjnë politik për fatet e vendit dhe të qytetarëve, bezdisen shumë sa herë vjen era e cigares së djegur të hashashit në oborrin e vilave të tyre prej fqinjëve europianë. Sikletin e tyre, pasi e qajnë vet “me lot dhe piskam”, i’a u besojnë lehësave, ta rrisin e ta qendisin, ta zbukurojnë e ta shesin, “pëgërjen” që kanë bërë “grenzat” për mjalt blete.
Kështu është kur ngatërron erën e gjakut me atë të…! Ata as që duan t’ia dinë fare, as për hashashin e as për kallashin, as për Shqipërinë dhe as pë rininë, madje bëjnë kot sikur duan të kafshojnë. Ata lehin që të justifikojnë “racionin”, i cili u dhurohet çdo ditë duke punuar dhe puna e qenit dihet është lehja.
Kësaj here konellapsit kanë ngrënë kocka të vogla e të buta, tamam si ato që gjenden në kofshë të pulës, të cilat u kanë mbetur keq në fyt, pasi nuk duhej kurrsesi t’i hanin, e po rrezikojnë të mbyten… bashkë me tutorët. Edhe ju tani?! Për mua mos i merrni hiç seriozisht, por në këtë katandisje, duhet të qeshim apo duhet të qajmë?!
Duhet të qeshim, sepse më në fund, lehësit me pagesë janë dorëzuar të mbrojnë atë që nuk mbrohet. Dorëzimi për mua është heshtja e qenit. Sa lehën dikur! Kurse tani, na paskan harruar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë krim shtetëror, ku një handikapat politik i “baçes së preshit”, merr guximin dhe kazani i jep megafonin, që të na bindi… se shqiptarët duhet të falin detin, sipas planit Berisha!
Të kërkosh, që të dëmtosh vendin tënd, duke kundërshtuar një vendim nga Gjykata Kushtetuese e “blerë”, ose duhet të mbyllesh në çmendi, ose në një burg bunker!
Pas Traktatit të fshehtë të Londrës, marrëveshja Basha-Bakojanis, është ngjarja më e rëndë e historisë së kombit. Ndaj duhet medoemos të trajtohet si tradhëti kombëtare dhe kodi penal, ashtu siç ka dënim për hashashin dhe kallashin, ka dhe një super dënim për tradhtinë ndaj atdheut.
Lehësat heshtin, sepse e dinë, që firmëtarët dhe bashkëpuntorët duhej të shkonin prapa hekurave, nëse nuk do kishim këtë bordello drejtësi që kemi!
Por lehësat, kanë edhe s’kanë mbrojtjen pa dashje të qytetarëve të mi. Qytetari im i mirë e i dashur, ulëret për hashashin, që vërtet është vepër e dënueshme në këtë vend, por as që i dëgjohet zëri për krimin e shitblerjes së jetëve. As që i’u ndihet zëri, kur milionat e gjetur nëpër dyshek gjyqtarësh dhe prokurorësh, janë dhjetra jetë të shitura, apo dhjetra kriminel të liruar nga ato të hashashit dhe kallashit.
Ndaj mua më vjen të ulëras vetëm, sepse nuk ulërisni ju! Ju që rrini duke pritur të ulërasin lehësit dhe politikanët, prisni kot, s’ka për të ndodhur kurrë. Vetëm nëse mbi kurriz të tyre, do valoi dajaku i drejtësisë!