Organet e Vettingut janë ende pa buxhet përsa i përket zërit të investimeve, për shkak se nuk janë rakorduar me ministrinë e Financave për paratë që ju duhen.
Kërkesë buxhetore është bërë nga Kolegji i Apelimit për shpenzime personeli, operative dhe investime. Gjatë diskutimeve u vendos që kolegji i apelimit do të rikthehet pasi të rakordojë investimet me ministrinë e Financave dhe të Drejtësisë.
Edhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, përmes kryetares Genta Bungo tha se nuk e kanë të qartë shpërblimet për vështirësi për këshilltarët, ndërsa u shpreh se në buxhet zëri i investimeve është zero, ndërkohë që ju duhen pajisje.
Deputeti socialist Bashkim Fino tha se këto janë institucione të reja, dhe buxheti është llogaritur në bazës të strukturës. “Problemi është i njëjtë, nuk jeni rakorduar dhe me ministrinë e Financave”, është shprehur Fino.
Ndërsa opozita është shprehur skeptike për numrin e pakët të këshilltarëve ligjore dhe ekonomikë në Kolegjin e Apelimit, si dhe stafin e vogël në numër në institucionet e vetingut. “Vettingun se bëjnë muret por njerëzit. A ju mjafton juve 10 persona këshilltare ligjorë dhe ekonomikë për të bërë Vettingun? Për sa keni nevojë? Bëjeni kërkesën tuaj”, tha Bylykbashi.
“Buxheti është bërë me këtë strukturë. Jemi pa ambiente, është faza e parë e rekrutimit të këshilltarëve. Kanë kandiduar 330 vetë për 10 vende pune. Do vij prapë të kërkoj shtesë në strukturë”, është përgjigjur Natasha Mulaj, kryetare e Kolegjit të Apelimit. /tch/b.d