Vrasja e 100-të që gazetari Roland Qafoku ka zbardhur në librin e tij është ajo e komisarit Artan Cuku.
Jo për nga rëndësia, por thjesht për nga rendi kronologjik i 100 vrasjeve më të bujshme të ndodhura që prej Shpalljes së Pavarësisë.
Libri i Qafokut mbyllet me ekzekutimin e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës.
Mes shumë fakteve të krimit të zbardhur pjesërisht nga Prokuroria e Policia, me arrestimin e ekzekutorit e jo të porositësve të vrasjes, Roland Qafoku rendit edhe shumë mistere që e rrethojnë këtë ngjarje.
Mes deklaratave të Policisë, Prokurorisë e të miqve të afërt të komisarit, nuk kishte si të mungonte në këtë libër edhe dëshmia e njeriut më të afërt të Artan Cukut, bashkëshortes së tij, Marjolës.
Një intervistë ekskluzive që vetë autori i ka marrë Marjola Cukut për ta pasqyruar në librin e tij “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar”.
“Nuk i trembem vdekjes për sa jam në të drejtën e Zotit.
Më shumë frikë kam të jetoj si burracak, se të vdes si burrë”.
Kështu është shprehur për vdekjen kur ishte në jetë Artan Cuku, raporton Panorama.
“Bashkëshortja e Artan Cukut, Marjola, u shtang mbrëmjen e së shtunës së 8 prillit 2017, kur ai i tha të shkonte shpejt në shtëpi, ndërsa ishin bashkë me dy fëmijët në hyrjen e pallatit. Me instinktin e policit me përvojë, ai e kuptoi se jeta e tij ishte në rrezik.
Prandaj u përpoq jo vetëm të shpëtonte familjen, por edhe që të dashurit e tij të mos shikonin asgjë që mund t’i ndodhte”. /b.d