Për Katalonjën është e mundur një zgjidhje tjetër krahas pavarësisë. Kështu ka deklaruar lideri Carles Puigdemont në një intervistë për të përditshmen belge “Le Soir”.
Puigdemont është shprehur në favor të një marrëveshjeje me qeverinë. “Marrëveshja është gjithmonë e mundur. U bënë 30 vjet që punoj për të siguruar një tjetër lloj marrëdhënieje mes Katalonjës dhe Spanjës. Kemi punuar shumë, por erdhja në pushtet e Aznar ndaloi procesin”, ka deklaruar Puigdemont.
Situata, sipas tij, mund të zgjidhet vetëm duke u ulur në tryezën e bisedimeve. Ndërsa Europës, Puigdemont i kërkon që të bëjë të njëjtën gjë që bëri me Poloninë dhe Hungarinë.
“Të verifikojë nëse ka pasur abuzime të të drejtave. Duket qartë që qeveria spanjolle nuk ka respektuar kartën e të drejtave themelore”, ka shtuar Puigdemont.
Një ditë më parë, kryeministri spanjoll Mariano Rajoy mbërriti në Barcelonë për të prezantuar kandidatin e Partisë së tij Popullore në zgjedhjet e 21 dhjetorit, e nga kryeqendra e Katalonjës deklaroi se lokalet e muajit të ardhshëm do të ndihmojnë t’i jepet fund kaosit në rajonin e pasur verilindor që tentoi shkëputjen.
Duke mbrojtur vendimin e tij për të imponuar mbi Katalonjën kontrollin direkt të Madridit zyrtar, shefi i ekzekutivit spanjoll shpjegoi se “nuk kishte lënë rrugë pa përdorur” përpara se të hidhte hapin ekstrem, në vazhdën e shpalljes së njëanshme të pavarësisë nga qeveria katalanase muajin e kaluar.
a.ç