Prej dy ditësh në Kretë po zhvillohen bisedime intensive mes ministrit Ditmir Bushati dhe homologut të tij grek Nikos Kotzias për paketën e çështjeve të pazgjidhura mes palëve. Prej disa orësh në media është folur për arritjen e akordit për një marrëveshje të re detare përmes së cilës Shqipëria nuk humbet asnjë centimetër nga territori i saj. Por, ministri Bushati nuk jep asnjë konfirmim.
Ndërkohë, palët duket se kanë qenë pranë akordit për Ligjin e Luftës sipas raportimeve mediatike që citojnë burime nga negociatorët. Pas bisedimeve, ka folur për mediat greke edhe minsitri Bushati, i cili ende nuk ka dhënë një konfirmim zyrtar për ato që kanë qarkulluar në media.
Lidhur me pyetjen nëse është zyrtarizuar akordi për detin, Bushati ka thënë se kemi një paketë çështjesh të diskutuara dhe se do të jetë i rezervuar deri kur bisedimet të mbyllen.
“Siç dihet ne kemi hapur një kapitull të rëndësishëm të marrëdhënieve me Greqinë, ku kemi tematizuar të gjitha çështjet që i konsiderojmë të hapura, apo çështje për të cilat kemi këndshikime të ndryshme. Natyrisht është bërë një punë voluminoze, sidomos dy vitet e fundit, me ngritjen e mekanizmit të nivelit të lartë ndërmjet dy vendeve tona, dhe këto dy ditë diskutimet kanë qenë me intensive, më të strukturuara pasi ka pasur nga ana tjetër edhe një punë paraprake, të mirë do të thoja, nga ekipet tona respektive. Unë e kam thënë edhe herë të tjera, kjo është një dosje jo e lehtë, rreth 70 e ca vjeçare, për pasojë kërkon kohën e vet dhe instrumentet më të përshtatshme për një zgjidhje në frymën europiane dhe bazuar mbi të drejtën ndërkombëtare”, u shpreh ministri Bushati.
/a.m.