Zhduket në rrethana misterioze, në tragetin e linjës Durrës –Bari, një avokat nga Tirana. Bashkëshortja e tij, që ndodhet në Itali, ka denoncuar në autoritetet dhe mediat italiane për zhdukjen e të shoqit.
Sipas saj, i shoqi, Besnik Muço, është nisur nga Porti i Durrësit drejt Barit me tragetin e linjës që më datë 2 nëntor, por që nuk ka mbërritur në destinacion. Pas pritjes disa ditë me shpresën se do të mund të merrnin një të dhënë për vendndodhjen e tij, familjarët e tij në Shqipëri denoncuan zhdukjen mbrëmjen e djeshme në Policinë e Durrësit.
Ata kërkuan që autoritetet këtu të nisin hetimet zyrtarisht për zhdukjen e shtetasit Besnik Muço. Sipas të dhënave të Policisë së Durrësit, avokati 54-vjeçar u nis më 2 nëntor, por që nga ajo ditë, humbi gjurmët dhe gruaja e tij, Raimonda, shkoi fillimisht në Policinë italiane për të bërë denoncimin.
Sipas bashkëshortes, ata duhej të takoheshin në Macerata të Italisë, por që ai nuk ka zbritur nga trageti. Familjarët e tij në Shqipëri, dhe konkretisht vëllai i 54- vjeçarit, ka deklaruar në Policinë e Durrësit se ka kontaktuar me Besnikun pak minuta para nisjes së tragetit dhe prej atij momenti, telefoni i tij rezulton i fikur.
Menjëherë pas denoncimit në Polici të të vëllait, blutë kanë nisur kërkimet dhe prokuroria hetimet për zbardhjen e ngjarjes.
Burime për “Panorama”, thanë se nga verifikimi paraprak, rezulton se shtetasi Besnik Muço të ketë kryer check-in dhe të jetë imbarkuar në tragetin e linjës Durrës-Bari, por nuk ka informacion nëse ka zbritur në Bari apo jo. Po ashtu, burimet thonë se do të verifikohen kamerat e tragetit për të parë lëvizjet e personit të zhdukur, si dhe do kërkohet nga autoritetet shqiptare te homologet e tyre kufitarë italianë, nëse ka zbritur ose jo në portin e Barit.
Gjithashtu, nëpërmjet kamerave, do të verifikohet nëse për rrethana të paqarta, avokati mund të ketë zbritur sërish nga trageti. Ndaj po verifikohen edhe tabulatet telefonike për të saktësuar nëse para nisjes ka pasur ndonjë telefonatë, çka e ka detyruar atë të zbresë sërish.
Për këtë shkak, hetuesit e Policisë që po punojnë për këtë ngjarje, kanë kërkuar nga Policia Kufitare të verifikojë sistemin “Tim”-s për të verifikuar nëse ka kaluar kufirin shqiptar apo jo si dhe i kërkuan të kontaktohet Policia Kufitare në portin e Barit dhe të saktësohet nëse ai ka zbritur në këtë port.
Duke marrë parasysh të dhënat paraprake, Policia ka ngritur disa pista hetimi. Kamerat e sigurisë së tragetit do të përcaktojnë lëvizjet e 54-vjeçarit në ambientet e brendshme të mjetit lundrues, por edhe momentin e imbarkimit dhe zbritjes (nëse ka zbritur) në portin e Barit nga trageti i kompanisë “Adria Ferris”.
Sipas vëllait të tij, Muça ishte një njeri i mbyllur, por familjarët nuk kanë dijeni për ndonjë shqetësim të tij kohët e fundit. Ai nuk ka shprehur te familjarët asnjë shqetësim apo kërcënim ndaj tij.