Në një kohë kur ‘neutraliteti’ mund të jetë vetëm një maskë për lidhje të ngushta me Rusinë, Serbia duhet të nisë një debat të hapur se çfarë nënkupton me të vërtetë ky koncept në kontekstin e Ballkanit.
Nga Vesko Garceviç
DIsa javë më parë, rastisa një artikull në Politicoku trajtohej dilema e vjetër Finlandeze – nëse duhet apo jo që ky vend të anëtarësohet në NATO.
Hannu Himanen, ish-ambasador i Finlandës në Rusi deri më 2016, u citua duke thënë se Finlanda “meriton një debat të hapur kur vjen puna te politika e sigurisë”.
Në opinionin e tij, politikanët e këtij vendi qëllimisht e shmangin debatin e nxehtë mbi këtë çështje të ndjeshme, të shqetësuar mbi të ardhmen e tyre politike në rast se advokojnë hapur për përfshirjen e Finlandës në NATO.
Finlanda dhe Suedia, që të dyja vende që nuk i përkasin asnjë organizate sigurie, gjithsesi kanë bashkëpunuar intensivisht me NATO-n prej vitesh. Që të dyja janë bashkuar në operacionet e udhëhequra nga NATO në Afganistan dhe, në rastin e tyre, NATO është shumë e interesuar t’i marrë si anëtarë.
Finlanda konsiderohet se ka sakaq njërën këmbë në NATO. Atëherë cili është problemi dhe pse anëtarësia në NATO është ende tabu? Pse është e vështirë edhe hapja e një debati të sinqertë mbi mundësinë për anëtarësim?
Përgjigjja lidhet më shumë me Rusinë se sa me çdo gjë tjetër. Finlanda ka një kufi 1,300 kilometra të gjatë me Rusinë dhe marrëdhëniet e mira me Moskën mbeten fokusi i çdo qeverie.
Rusia është një dilemë e përhershme për Finlandën. Njësoj si një sëmundje kronike, ajo duhet në një farë mënyre të jetojë me të dhe ta mbajë nën kontroll.
Para se NATO ta ftojë Finlandën të bashkohet, ajo duhet të marrë parasysh të gjitha komplikimet potenciale në siguri dhe gjeostrategji dhe pastaj të vendosë se çfarë drejtimi duhet të marrë. Marrëdhëniet e ardhshme me Moskën do të zënë një rol qendror në të gjitha këto hamendësime hipotetike.
Kjo tingëllon e njohur apo jo? Dilema Perëndim apo Lindje nuk shqetëson vetëm finlandezët. Ajo ka shqetësuar shtetet e Ballkanit që kur ato u bënë të pavarura dhe është zhvilluar bashkë me progresin e tyre, pa e humbur kurrë rëndësinë e vet.
Asnjë shtet në Ballkan nuk ka një kufi 1,300 kilometra të gjatë me Rusinë, por rajoni ka një histori të gjatë marrëdhëniesh intensive dhe me raste kontroverse me Moskën, si dhe më shumë se 200 vjet prani të pandërprerë të Rusisë.
A e bën kjo të vështirë për disa vende në Ballkanin Perëndimor për të pasur një debat të hapur dhe racional mbi të ardhmen që dëshirojnë të kenë? Unë mund të them po.
Pothuajse gjithkund në Ballkan, NATO reflekton mendime të stereotipizuara, ide të gabuara, gjysmë të vërteta dhe argumente të mbështetura në një lloj nacionalizmi mitik dhe romantik, i cili ishte i pranishëm në Europë në fillim të shekullit të 19.
Askund në rajon kjo nuk është kaq e pranishme se sa në Serbi. Por në sytë e shumë personave në rajon, anëtarësia në NATO [gabimisht] interpretohet si një përplasje e drejtpërdrejtë me Rusinë. Poshtë retorikës nacionaliste, situata është shumë më tepër komplekse. Në të përfshihen interesat e shumë figurave të rëndësishme politike dhe lidhjet e tyre private të biznesit me të fuqishmit e Rusisë.
Hapja e debatit mbi orientimin strategjjik të vendeve të këtij rajoni nxjerr në dritë sinqeritetin për angazhimin e tyre në reformimin e shoqërive dhe afrimin me Bashkimin Europian.
Për rrjedhojë, modeli i neutralitetit, i zhvilluar në Ballkan është i ndryshëm nga ai i zhvilluar nga vendet e Europës Perëndimore.
Modeli i Europës Perëndimore i ka rrënjët në tradita demokratike, të përcaktuara nga parimet e kontrollit dhe balancave dhe kontrollit demokratik mbi forcat e armatosura, thjeshtë sa për të përmendur dy elementë.
Modeli i Ballkanit reflekton konformitetin dhe utilitarizmin më shumë se sa orientimin e mirëmenduar strategjik. Ai është fëmijë e politikës së ditës dhe objektivi nuk është ofrimi i një alternative reale por i konsumimit të kohës dhe shmangies së një debati në dukje, konfrontues.
Vizita e fundit nga Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Rose Gottemoeller në Beograd më 12 tetor dhe shfaqja e saj në Forumin e Sigurisë së Beogradit me kryeministren e Serbisë Ana Brnabic u përdor nga media për të përkeqësuar, mendoj qëllimisht, keqperceptimet e Serbisë ndaj aleancës dhe rolit të saj në botë.
Siç pritej, debati qe i ashpër por në shumicën e rasteve titujt kryesorë qenë armiqësorë, duke variuar nga ato neutralë se si anëtarësia e Malit të Zi në NATO mund ta ndryshojë mënyrën se si Serbia e sheh organizatën, deri te deklarata e Ministrit të Jashtëm Ivica Dacic, duke përsëritur se Serbia nuk dëshiron të anëtarësohet në NATO dhe as në ndonjë aleancë tjetër.
Asnjë nga raportet nuk ofroi asnjë vlerësim të mirëmenduar për ndonjë përfitim afatshkurtër apo afatgjatë apo të sfidave në rast se Serbia vendos të bashkohet me Aleancën.
Diçka e ngjashme mund të ndodhë javën e ardhshme si përgjigje ngaj Javës së Pestë të NATOs në Beograd, e cila do të organizohet nga institucioni kërkimor për Studime Euro-Atlantike me bazë në Beograd, një organizatë që promovon integrimin e Serbisë në perëndim.
Lista e konfirmuar e folësve përfshin Tacan ilden, Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATOs, Benjamin Hodges, Gjeneral Komandues i Ushtrisë së SHBA-së në Europë dhe Branimir Filipovic, Asistent i Ministrit të Jashtëm të Serbisë për Politikat e Sigurisë. Bashkëpunimi NATO-BE dhe prania e NATOs në Ballkan do të jetë fokus i debatit dyditor.
Të dyja çështjet janë të rëndësishme për të kuptuar më mirë rolin e NATOs në Europë dhe në veçanti, bashkëpunimin e ngushtë të Aleancës me BE-në, gjë që shumë politikanë në Ballkan nuk pëlqejnë ta përmendin.
Çdo diskutim mbi prioritetet e politikës së jashtme në Serbi, ashtu si edhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, duhet të përfshijë edhe NATOn. Sa më shpejt që kjo të ndodhë, sa më i hapur të jetë diskutimi, aq më e mirë do të jetë e ardhmja e tyre.
Kjo duhet të përfshijë një analizë të gjerë të rolit të Rusisë në rajon dhe një përkufizim të asaj se çfarë do të thotë në kontekstin Ballkanik politika e neutralitetit.
Ndërsa trupat ushtarake serbe janë dërguar krahas trupave suedeze, finlandeze apo austriake në Afganistan, pyetja mbi natyrën dhe karakterin e neutralitetit të saj merr një dimension të ri.
Në shumë aspekte, koncepti i neutralitetit në Ballkan, siç është prezantuar deri tani, ka më shumë ngjashmëri me vende të tilla si Bjellorusia apo Turkmenistani në Azinë Qendrore më shumë se sa me ato të Suedisë, Finlandës apo Austrisë.
Kjo duket se është konfirmuar në takimin me zëvendësekretaren e NATOs Gottenmoller, kur kryeministri i Serbisë Aleksander Vucic u citua të thotë: “Ky është një indikacion tjetër i respektit të ndërsjellët dhe bashkëpunimit të mirë [mes Serbisë dhe NATOs], pavarësisht neutralitetit ushtarak të Serbisë.”
Në rastin e Suedisë, Finlandës, Austrisë dhe Zvicrës, neutraliteti i tyre nuk ka qenë një pengesë për një bashkëpunim të larmishëm me NATOn dhe as nuk ka qenë pengesë për mbështetjen e tyre për pozicionin e BE-së në lidhje me Ukrainën.
Kjo rrjedh nga fakti se këto vende kanë të njëjtat vlera si demokracitë e Europës Perëndimore. Ata janë aleatë natyralë edhe nëse ata nuk i përkasin të njëjtës organizatë sigurie.
Në rastin e pak shteteve të vetëdeklaruara neutrale në Europën Lindore dhe Azinë Qendrore, neutraliteti është vetëm një maskë për marrëdhënie të ngushta me Rusinë.
Për shkak se të dy konceptet e neutralitetit nënkuptojnë në thelb orientime të ndryshme strategjike në politikën e jashtë, një debat i hapur është i nevojshëm jo vetëm për hatër të qartësimit të koncepteve por edhe për hatër të së tashmes dhe të ardhmes të politikës së jashtme të Serbisë.
A duhet që NATO të mbetet një tabu në Serbi? Jo. Shtetasit e Serbisë duhet të vendosin të ardhmen e tyre, pot ata fillimisht duhet të dijnë se çfarë lloj neutraliteti po ndjek vendi i tyre. Pyetja kryesore është nëse neutraliteti është një model i mundshëm apo jo në Ballkan. Historia thotë jo. Edhe unë kështu mendoj.