Lushnje 24-vjeçarja Erinolda Isufaj e cila ndërroi jetë në një aksident tragjik gjatë ditës së sotme në Lushnje, ishte me profesion gazetare.
E reja ishte e martuar, në një raport me bashkëshortin, që siç kolegët e saj e tregojnë, ishte për tu marrë shembull. Së shpejti, Erinolda kishte bërë plane për të pasur një fëmijë, por fati deshi që 24-vjeçarja të mbyllë sytë përgjithnjë, e po ashtu edhe ëndrrat e saj. E reja udhëtonte në një makinë tip Peugeot me bashkëshortin dhe familjarët e tij. M.I 29 vjeç banues në Tiranë mbeti i plagosur dhe mori trajtim në spitalin e Lushnjes, pasi një gur i madh mermeri ra nga një kamion që ecte para makinës së tij.
Rreth orës 12.45, në autostradë, në fshatin Çiflig, nga një kamion që transporton gur mermeri, ka rënë një gur i madh dhe ka zënë poshtë një automjet ku udhëtonin katër persona, pjesëtarë të një familje. Kamioni me targë AA 667 MP drejtohej nga B.P, 41 vjeç, banues në Fushë Krujë. Ndërkohë autovetura tip “Pezho” me targë AA 862 SF drejtohej nga M.I, 29 vjeç, banues në Tiranë i cili po merr mjekim në Spitalin Rajonal Lushnje. Brenda autoveturës ndodheshin edhe 3 persona, nga të cilët ka ndërruar jetë vajza E.I, 24 vjeçe. Ndërsa, familjarët e tjerë, Sh.I, 52 vjeç dhe V.I, 50 vjeçe nuk kanë pësuar dëmtime.
Policia thotë se është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Lushnje drejtuesi i kamionit B.P dhe po kryen veprimet procedurale. “Po kryen veprimet nga grupi hetimor për zbardhjen e kësaj ngjarje”, – përfundon policia.
aëb365/Gazeta Express