Nga Kastriot Kotoni
Njohja ime e hershme me shkrimtarin Kasem Trebeshina fillon diku nga viti 1991, në një takim në Akademinë e Arteve.
Në fakt, për mua ajo figurë ishte bërë e njohur, sepse e kisha dy pallate larg pallatit ku banoj ende sot (prapa ish-Ekspozitës). Ishte një njeri me të cilin nuk mund të bisedoje kollaj. Ai duket kishte të drejtë, Reflekset e dyshimit e kishin kthyer në një lloj mendësie të gjithë shoqërinë shqiptare në kohën e diktaturës. Pas viteve 2000 e kam takuar thuajse tri-katër herë në javë Prof. Kasem Trebeshinën, deri para dy vitesh.
Ai, në bisedat tona të përhershme, me tema nga më të ndryshmet, si për artin, historinë dhe politikën ishte shumë bindës dhe me shumë durim e mbi të gjitha me shembuj nga letërsia dhe jeta e tij argumentonte shumë fenomene të shoqërisë shqiptare.
Nuk bënte lëshime për të gjithë çfarë kish shkruar në media dhe pa dyshim në veprën e tij letrare.
Ka bërë shpesh prezantimin tim me shkrimtar e botues, pse jo dhe shumë doktorantë të cilët zhvillonin temat e diplomimit ose doktoraturave me veprën e Kasem Trebeshinës.
Ka pasur njerëz, të cilët, kur e kanë takuar Trebeshinën, e kanë kuptuar më mirë shkrimtarin dhe dëshmitarin e vërtetë të historisë së Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore dhe historinë e diktaturës shqiptare për dyzet e pesë vjet.
A kam pasur debate për tema të ndryshme unë me Trebeshinën? Natyrisht që po. Tema e luftës ka qenë një ndër to… ai me bindjen se në Shqipëri ka pasur Luftë Civile. – “Nuk e di se çfarë ishte ajo luftë.”, – shkruan Trebeshina.
Shkrimtari i mirënjohur Kasem Trebeshina, si një ish-partizan i “Luftës së Dytë Botërore” dhe një ish i përndjekur politik në regjimin diktatorial të Shqipërisë, pas çlirimit të vendit nga okupatori nazifashist, ka një libër me kujtime për jetën e tij botuar në Itali me titull “Allori Sechi”, përkthyer nga Edmond Çali, në shqip “Dafinat e Thara”.
Në këtë libër rrëfyer në vetën e parë nga autori Kasem Trebeshina, jepen me shumë art, dëshmi të vërteta nga lufta për çlirimin e vendit. Në këto dëshmi djaloshi 17-vjeçar Trebeshina, i plagosur dhe pa asnjë shpresë për jetën, pasi i ndin fati, në krye të javës transferohet në një rajon tjetër, atë të Mallakastrës.
Ja si shkruan ai për këtë transferim: “Transferimi ishte një gjë shumë e mirë për mua. Kisha ardhur në këtë rajon i mbushur me ëndrrat e mia më të bukura. Doja t’i shërbeja Atdheut. Nga larg të gjitha gjërat kanë poezinë e tyre, por kur u afrohesh, mbarë gjërat ndërrojnë pamjen dhe… Diçka u kisha dhënë atyre njerëzve dhe ata ndofta ma kishin kthyer atë diçka. Dy herë isha ngritur në rangun e Komisarit të Batalionit dhe dy herë më kishin shkarkuar… Ndofta ata kishin të drejtë: unë nuk isha shumë i përshtatshëm për organizimin komunist.
Ky njeri, i cili i shërbeu atdheut si askush tjetër, po të kemi parasysh dokumentacionin që ai u dërgon eprorëve të tij në “Shtabin e Përgjithhëm”, në të cilin shkruhej për tetëqind e dyzet e pesë gjermanë të vrarë dhe katërqind e shtatëdhjetë gjermanë të kapur robër dhe ndërmjet tyre një Kolonel. Këto ishin rezultatet e luftimeve në muajt gusht-shtator të vitit 1944 të Batalionit të IV të udhëhequr personalisht nga Kasem Trebeshina. Në një kapitull, ku Kasem Trebeshina shkruan “Edhe njëherë për luftën civile”, për hir të debatit që është hapur tashmë në mediat shqiptare qysh prej tre muajsh temën e rolit të Ballit Kombëtar në Luftën e Dytë Botërore.
Kasem Trebeshina: – “Shumë po flitet dhe përflitet rreth Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri… Dhe më shumë nga të gjithë, po flasin ballistët! Dihet nga të gjithë dhe dihet shumë mirë që e majta në janar të 1939-ës në Shqipëri nuk kishte asnjëfarë rëndësie. Dhe, më 7 prill 1939, Italia fashiste e pushtoi Shqipërinë. Dhe, për fat të keq, bashkë me pushtuesit, zbarkuan në Shqipëri edhe një pjesë e atyre që më 1942 do të formonin Ballin Kombëtar.
Punë për ta!
Por nuk ishte për ata që morën pjesë në qeveritë fashiste.
Dihet që Lufta e Dytë Botërore u tranformua në një koalicion të madh të shteteve që luftonin për liri dhe demokraci. Që vunë gjithçka kishin në një luftë vendimtare kundër fashizmit. Dhe pjesa më e madhe e Ballit Kombëtar e tradhtoi atë luftë vendimtare kundër fashizmit!
Nuk kam ndërmend të zgjidh punët e Luftës Civile dhe ato të Shqipërisë. Por kalimthi, le të shikojmë ngjarjet pas kapitullimit të Italisë fashiste”, – shkruan Kasem Trebeshina.
Gjatë këtij trajtimi nuk dua, në asnjë mënyrë, të mohoj kontributin e nacionalistëve në përgjithësi dhe atë të një pjese të Ballit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nuk dua, në asnjë mënyrë, të mohoj sabotimin e luftës nga ana e Enver Hoxhës, vrasjet e pabesa që ai organizoi brenda radhëve të majta dhe që i shtriu me kujdes në përgatitjen e Luftës Civile! Nuk dua të mohoj, në asnjë mënyrë, terrorin në masë në mbarim të luftës në Shqipëri dhe vazhdimin mbas mbarimit të luftës! Por në asnjë rast nuk duhet të harrojmë se ballistët, fill pas kapitullimit të Italisë fashiste, u vendosën në qytete bashkë me gjermanët. Ashtu siç bënë në Berat edhe komunistët. Me ndryshimin se ballistët u shkulën nga qytetet bashkë me nazizmin.
Pretendimet se u vendosën në qytet nga trysnia e nacionalçlirimtarëve, nuk kanë asnjë bazë. Forcat tona, – shkruan në kujtimet e tija Kasem Trebeshina, – ishin më të organizuara dhe shumë të disiplinuara. Gjë që edhe Ballistët mund ta bënin.
Le të flasim hapur, shkruan Trebeshina.
Çfarë i pengonte ballistët që të ishin më të organizuar dhe më të disiplinuar?
I pengonte Jugosllavia apo Rusia?
Të gjitha justifikime, pa asnjë bazë historike. Ashtu siç ishte thirrja për ruajtjen e forcave tona!
Dihet nga e gjithë bota se Shqipëria, si ushtri të huaja, ka patur vetëm ushtritë pushtuese fashiste. Në Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore, kanë kaluar vetëm forcat ushtarake të Italisë fashiste dhe Gjermanisë naziste.
Hyri në Shqipëri dhe ushtria greke.
E bashkova ushtrinë greke me dy ushtritë e mësipërme, – shkruan Trebeshina, – se ajo ushtri nuk e dëgjoi thirrjen e anglezëve dhe nuk lejoi që në Korçë të ngrihej flamuri shqiptar. Me atë gjest ata treguan se donin të na trajtonin si armiq.
Dhe grekëve u bie që edhe në kohën e tanishme të vënë në një rregull të ri në mendimet e tyre për Shqipërinë. Në marrëdhëniet me shtetin shqiptar duhet të jenë më të matur se kanë perënduar, përfundimisht, kohët kur mund të bënin lidhëse këpucësh me zorrët e shqiptarëve…Nuk ndihet asnjë nevojë që të shtyhemi më tej në përçartjet greke dhe le të kthehemi te Bali Kombëtar.
Pretendimi i ushtrive të huaja nuk qëndron! …Se edhe anglezët, që erdhën në Himarë dhe Sarandë për një operacion zbulimi, qëndruan vetëm pak kohë: në Himarë rreth gjashtë orë, në Sarandë rreth dy javë! …Atëherë, pse u mbyllët në qytet me gjermanët? Ne ishim vetëm në disa zona në Shqipërinë e Jugut, kurse e gjithë pjesa tjetër e Shqipërisë ishte e hapur për të gjithë! Mos ishte çështje trimërie që e kishte njëra palë dhe nuk e kishte pala tjetër?
As mos të shkohet në mendje një mendim i tillë! Se Shqipëria nuk është aq e madhe…Dhe shqiptarët e njohin shumë mirë njëri-tjetrin. Mos e bëtë atë bashkim me gjermanët për Shqipërinë Etnike? Koha tregoi sa e vështirë ishte ajo punë. Sa e vështirë është edhe tashti, – shkruan Kasem Trebeshina.
Dhe me sa sakrifica po arrihet pavarësia e Kosovës, pas më shumë se një gjysmë shekulli. Dhe koha tregoi se, në Francë, Lavali u dënua me vdekje. Kurse heroi i Verdunit vdiq në burg! …Se Franca ka ditur, gjithnjë si ta trajtojë historinë e saj. Në Francë nuk tregohen përralla me mbret…Dhe asnjë nga shkrimtarët e saj nuk ka shkruar se ”gjëja që falin francezët më me lehtësi është tradhtia”! Një gjë të tillë, me shumë të drejtë, ka shkruar një shqiptar për shqiptarët. Ka ardhur koha… Dhe po kalon pa pritur që shqiptarët ta kuptojnë se Shqipëria është një dhe e pandashme. Ajo është shtëpia e shqiptarëve. Dhe në të, ata, do të jetojnë të gjithë dhe pa asnjë dallim! Këtë duhet ta kuptojnë, përfundimisht, dhe duhet të heqin dorë nga përrallat e bajraktarizmit feudal në trajtimin e historisë së Shqipërisë në tërësi. Dhe në zbërthimin e Luftës së Dytë Botërore, në veçanti.
Për sa më përket mua, – shkruan Kasem Trebeshina në librin e tij “Dafinat e Thara”, si person, e them hapur se biografia është më se e qartë. Nuk e kam goditur unë Ballin, por më ka goditur ai mua. Ky është fakt dhe nuk mund të ndryshohet. Kam luftuar kundër Ballit vetëm në zonën Fier-Mallakastër dhe të në gjitha rastet kur në atë krahinë na kanë sulmuar bashkë me gjermanët.
Dhe për periudhën e shkurtër që kam luftuar në zonën e Vlorës, nuk mund të thuhet gjë. Se në atë kohë nuk kam luftuar asnjëherë kundër Ballit! E përsëris: Balli më ka sulmuar i pari në fshatin Seman të Fierit! Dhe dihet, nga të gjithë, se është e shënuar në dokumentet e Ministrisë së Mbrojtjes që në vitin 1945 kam qenë jashtë shtetit dhe nuk kam ndjekur asnjë njeri. Gjatë Luftës kam trajtuar në mënyrë njerëzore robërit e luftës dhe atje ku kam qenë unë nuk është prekur njeri. Për spiunët nuk ka pasur kurrë mëshirë. Biografia ime është më se e qartë. Dhe të gjithë e dinë mirë se veprimtaria ime ushtarake dhe politike mbaroi bashkë me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore. Këtë ritrajtim të Luftës së Dytë Botërore dua ta mbyll duke u kujtuar të gjithë historianëve që të jenë më të kthjellët në trajtimin e saj. Dhe të jenë më të kujdesshëm në drejtim të vlerësimit të idealistëve shqiptarë, që nuk ishin të paktë!
Dhe të gjithë, pa dallime idologjike, duhet të nderojnë ata që derdhën gjakun për Shqipërinë. Se gjaku nuk bëhet ujë! Dhe shqiptarët duhet të jenë, gjithnjë, gati për të mbrojtur Shqipërinë! Për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë, kudo në botë. Që të jetojnë në paqe, pa vjedhur njëri-tjetrin, pa vjedhur popullin dhe shtetin! Shkurt, 2007. Kasem Trebeshina.