Komisioni Evropian, në raportin ekonomik për vendet anëtare dhe ato kandidate të Bashkimit Evropian të publikuar sot, ka përllogaritur një rritje me 4% të PPB-së së Shqipërisë gjatë vitit 2017, çka është në përputhje me rritjen që ishte parashikuar nga qeveria.
Në raport shpjegohet se ndikim në këtë rritje kanë patur investimet e huaja në sektorin energjetik dhe kërkesa e brendshme, si pasojë e rritjes së pagave dhe punësimit.
Në disa pjesë të përmbledhura të raportit, thuhet si më poshtë vijon:
Rritje progresive e udhëhequr nga konsumi privat
Investimet e huaja direkte në sektorin e energjisë janë në kulm, duke sjellë një akselerim të veprimtarive ekonomike gjatë vitit të fundit. Eksportet vazhdojnë të rriten me ritëm të shpejtë, duke përfituar nga turizmi në rritje dhe nga përforcimi i ekonomive të partnerëve kyç tregtarë. Rritja e punësimit dhe pagat më të larta kanë rritur konsumin e brendshëm. Investimet dhe konsumi mbështeten nga një politikë monetare akomoduese. Inflacioni është i ulët, por i projektuar të rritet gradualisht drejt objektivit zyrtar. Pozicioni i politikës fiskale po e pakëson vetëm ngadalë nivelin e lartë të borxhit publik në raport me PPB-në.
Rritja u përforcua në gjysmën e parë të 2017-s
Out-putet reale akseleruan deri në një nivel rritjeje prej 4.0% në gjysmën e parë të 2017-s. Kontribuesit kryesorë të rritjes ishin investimet dhe eksportet. Formimi i kapitalit fiks u forcua me 12.9% duke reflektuar pikun e periudhës së investimeve të huaja direkte në seksionin shqiptar të TAP-it dhe një projekti të gjerë të hidro-energjisë. Eksportet u rritën me 15% falë një turizmi në zgjerim dhe rikuperimit të eksportit të mallrave pas tri vjetësh tkurrje.
Importet (që i tejkalojnë eksportet me thuajse 50%) u rritën në mënyrë më të moderuar me një nivel 5.8%. Rritja e konsumit publik pati një rritje gjallëruese (6.6%), sidomos sa i takon pagave, sigurimeve shoqërore dhe buxheteve lokale. Rritja e konsumit privat, nga ana tjetër, ishte relativisht e tkurrur (2.1%), ndoshta duke reflektuar pasigurinë politike për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit.
Kërkesa e brendshme po udhëheq rritjen
Besimi i konsumatorëve po përmirësohet, punësimi po rritet në një pikë të kënaqshme, dhe niveli i përgjithshëm i pagave është rritur me 10%, në një pjesë të madhe të sektorit publik në mars. Kjo pritet që ta rrisë konsumin privat me 3% në dy vitet e ardhshme në krahasim me një rritje të moderuar në 2017-n. Përkundrazi, formimi i kapitalit fiks, ka gjasa të bjerë substancialisht vitin e ardhshëm teksa dy projekteve të mëdha energjetike po u vjen fundi i tyre. Investimet në strukturat e turizmit dhe në sektorin minerar, gjithsesi, pritet ta mbajnë relativisht të lartë rritjen. Rritja e konsumit publik pritet të jetë e moderuar në dy vitet e ardhshme pas pikut të 2017-s. /b.d