Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ndodhet në Bruksel në kuadër të Ministerialit të Mbrojtjes që po zhvillohet atje.
Xhaçka ka patur takime me përfaqësues të lartë në nivel shtetesh dhe institucionesh ndërkombëtare.
Ndër to më të rëndësishmit ishte ai me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe Sekretarin e Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar, Gavin Willliamson .
Xhaçka e ka siguruar numrin 1 të NATOS, Stoltenberg, se “Shqiperia do të vazhdojë të jetë aleat i denjë dhe kontribues për paqen dhe sigurinë e çdo qytetari të Aleancës së Atlantikut të Veriut e me gjerë”.
Ministrja Olta Xhaçka u takua më herët edhe me Sekretarin e Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar, Gavin Ëillliamson, i emëruar pak ditë më parë në këtë post. Në takimin bilateral, z. Williamson vlerësoi nivelin në rritje të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit dy palësh, midis dy vendeve.
“Vlerësojmë kontributin e Shqipërisë në strukturat e NATO dhe vecanërisht atje ku ne jemi shtet drejtues, sic është rasti i task forcës së gatishmërisë së lartë. Më lejoni zonja Ministre t’ju shpreh vlerësimin më të lartë për kontributin tuaj të konsiderueshëm, me gjithë kufizimet buxhetore me të cilat përballemi”, tha ai.
Në aspektin operacional, Sekretari Britanik i Mbrojtjes, nënvizoi se numri i stërvitjeve të përbashkëta të zhvilluara mes dy vendeve dhe niveli i tyre i kanë shërbyer rritjes së ndërveprimit mes dy ushtrive aleate. Sipas zotit Ëilliamson, stërvitja e përbashkët “Albanian Lion”, e planifikuar pë tu zhvilluar vitin e ardhshëm në Shqipëri është një hap i rëndësishëm në këtë drejtim. Nga ana tjetër, ai konfirmoi angazhimin dhe kontributin e Mbretërisë së Bashkuar në kuadër të BE, NATO-s dhe aleatëve.
Ministrja Xhaçka, pasi e uroi homologun britanik për detyrën e re, e falenderoi atë për mbështetjen dhe interesin e Qeverisë britanike në marrëdhëniet dypalëshe në fushën e mbrojtjes.
“Edukimi dhe trajnimit i ushtarakëve shqiptarë janë boshti kryesor i bashkëpunimit mes nesh. Numri në rritje i njerëzve tanë në uniformë, të arsimuar në institucionet tuaja apo rihapja e zyrës së atasheut ushtarak britanik në Tiranë, si tregues i vlerësimit të rolit të Shqipërisë në rajon janë hapa që do të pasohen nga të tjerë në të ardhmen”, deklaroi mes të tjerash Ministrja Olta Xhaçka. /lexo.al