Qeveria e Kosovës nuk lëkundet nga qëndrimet e saj, pavarësisht deklaratave të zyrtarëve të lartë të Malit të Zi, të cilët përsërisin se ia kanë vënë pikën çështjes së demarkimit të kufirit mes shteteve. Avni Arifi nga Zyra e Kryeministrit thotë për Gazetën Express se pa marrë parasysh çka thonë nga Mali i Zi, çështja e Demarkacionit mbyllet vetëm atëherë kur ratifikohet në dy parlamentet.
Ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Srdjan Darmanoviq, tha edhe njëherë se për Malin e Zi cështja e demarkimit të kufirit është mbyllur në momentin që Parlamenti i tyre e ka ratifikuar. Si rrjedhojë, Mali i Zi nuk e konsideron mundësinë e shkuarjes në Arbitrazh.
Megjithatë, Avni Arifi thotë se Qeveria vazhdon të mbajë qëndrimin e njëjtë, edhe përkundër deklaratave që vijnë nga shteti malazias.“Nuk kanë ndryshu qëndrimet e Qeverisë. Ne vazhdojmë ta presim komisionin”, është shprehur ai.Qeveria e Kosovës shpresat i ka te rishikimi i marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2015.
E për këtë po punon edhe komisioni i angazhuar për rishikimin e kufirit me Malin e Zi.Kryeministri Haradinaj vazhdon të deklarojë se nuk duhet ratifikuar marrëveshja e demarkacionit pa u rishikuar,e më pas të rinegociohet. Në rast nuk ka hapësirë për rinegocim, shefi i ekzekutivit thoshte se kjo cështje përfundon në arbitrazh.
“Nëse mendojnë që është në rregull të rinegociojmë, po – nëse jo, mund të përfundojmë në arbitrazh”, ishte shprehur kryeministri kosovar gjatë një interviste në televizionin publik.
Arbitrazh jo, thonë autoritetet nga Podgorica. Por, në Prishtinë gjithçka i lihet në duar komisionit për rishikimin e demarkacionit.
“Ne do të bisedojmë me të gjitha palët dhe do ta procedojmë në mënyrën më të duhur në momentin që e marrim rezultatin e komisionit”, ka thënë Arifi për Gazetën Express.
Arifi thotë se nuk duan ta paragjykojnë cka thotë komisioni, ani pse ky është krijuar sepse Haradinaj, dukur në opozitë, pohonte se kufiri me Malin e Zi nuk është aty ku parasheh marrëveshja e Demarkacionit.
Sa i përket asaj se Mali i Zi më nuk i jep asnjë shans ringeocimit të marrëveshjes, duke thënë se kjo cështje është mbyllur për ta në momentin e ratifikimit në parlamentin e tyre, Arifi thotë se kjo çështje mbyllet vetëm atëherë kur kryhet edhe në Kosovë. Ky rast është i mbyllur veç kur dy palët e ratifikojnë. Deri atëherë nuk ka asgjë të mbyllur”, përfundoi ai, përgatiti ”Express”. (b.an)