Prokuroria, organi kryesor për luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet në Shqipëri, ka kërkuar mbylljen e dosjes CEZ.
Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar gjykatës mbylljen e dosjes së CEZ, referuar nga Kuvendi i Shqipërisë pas një hetimi disamujor, ku në listën e të kallëzuesve ishin edhe Sali Berisha dhe djali i tij. Kërkesa drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për mbylljen e dosjes i është dërguar edhe Kuvendit të Shqipërisë.
Në raportin e komisionit hetimor, i miratuar nga Parlamenti, dëmi ekonomik i shkaktuar nga veprimet dhe mosveprimet e mbi 17 ish-funksionarëve shtetërorë ishte 450 milionë euro.
Megjithatë, sipas prokurorisë, në dosjet me objekt të njëjtë, referuar nga Kuvendi dhe Romeo Kara, nuk ekzistojnë elemente të veprave penale.
Ky veprim i Prokurorisë shqiptare nuk ka mbetur jashtë vëmendjes së mediave çeke, të cilat siç shihet kanë shkruar për këtë manovër të prokurorisë.
“Ndërkohë që në Çeki vazhdon hetimi për çështjen, lidhur me çfarë Komisioni Parlamentar zbuloi mbi këtë aferë, në Shqipëri Prokuroria përpiqet ta mbyllë si çështje. Ndoshta ky është shërbimi i fundit që i bëhet Berishës nga drejtësia e emëruar prej tij, e cila tanimë do kalojë në sitën e Vettingut” – shkruan portali Lexo.al