CityNews ka komentuar atë që ndodh me deputetët e Partisë Demokratike, të cilët proklamojnë bojkot të komisioneve parlamentare, por shkojnë tek të gjitha ato, flasin 5 minuta, krijojnë incidente dhe largohen. Përkundër kësaj, në Parlament shkojnë gjatë të gjithë seancës, votojnë edhe vendimet.
Është kjo një strategji që deputetët të shkojnë vetëm 5 minuta, apo është një lojë hipokrite e Lulzim Bashës? Kjo është një pyetje që do përgjigje nga opozita.
Burime konfidenciale nga Partia Demokratike, i thanë CityNews se deputetët shkojnë në Komisione për dy qëllime.
Së pari për të firmosur prezencën e tyre, pra rrogën, për të marrë 2 mijë lekë të reja. Në rast se mungojnë “dëmi që u shkaktohet” është 160 mijë lekë të vjetra, pra humbasin pagën për ditët e punës.
Së dyti dhe pasi firmosin rrogën, japin një deklaratë për shtyp, i fusin ndonjë të sharë dhe largohen. Kështu ata hiqen sikur po bëjnë opozitë.
Kjo është zgjidhja që Basha ka gjetur që deputetët të mos kenë ankesa nga humbja e ditës së punës. Thënë ndryshe edhe lekët i fusin në xhep dhe propagandën e partisë e bëjnë.
Deputetët shkojnë 5 minuta, firmosin rrogën, bëjnë propagandën e partisë, i këpusin ndonjë të sharë dhe largohen. Populli nuk ka bukë të hajë, por për deputetët e Lulit, kauza e opozitës është më pak e rëndësishme se 160 mijë lekë të vjetra në ditë dhe firma për 20 mijë lekë në komision.
Pse nuk i bojkotojnë dhe braktisin këto komisione për të treguar se nuk bëhen palë me krimin? A nuk është kjo një dyftyrësi dhe hipokrizi para qytetarëve që shumë prej tyre nuk kanë bukë të hanë, ndërkohë deputetët e opozitës nga një anë hiqen si kundërshtarë të ashpër të qeverisë së drogës dhe të krimit, nga ana tjetër xhepat e tyre i mbushin me borderotë e drogës?
Kjo është të hiqesh sikur po bën opozitë vetëm e vetëm që të të mos cënohet xhepi. Fundja shumë prej deputetëve të sotëm e kanë “dëmtuar” xhepin e tyre që të jenë deputetë, e tashmë duhet që ta mbushin sërish atë. /CityNews/b.d