Zbulohet emri i personit të dytë që ka qenë në shoqëri me biznesmenin 25-vjeçar Orest Sota, në momentin e ndalimit nga policia mëngjesin e 1 nëntorit në Elbasan, ku iu gjetën 863 mijë euro dhe dy patenta për mjete lundrimi në emër të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe një të bashkëshortes së tij, për drejtim automjeti.
Report Tv bën të ditur se bëhet fjalë për shtetasin Leonard Almeta, i cili në momentin e ndalimit dhe shoqërimit nga policia mësohet të ketë deklaruar se është i njohur i biznesmenit, por nuk ka lidhje me paratë. Ai ka shtuar se e ka shoqëruar Sotën në drejtim të Elbasanit, version i cili është përputhur me deponimin e biznesmenit të ri.
Almeta dhe Sota kanë qenë duke udhëtuar me një automjet tip “Land Rover”. Vetë biznesmeni Sota ka pohuar në polici se paratë janë të tijat. Sa i takon patentave të Tahirit, Sota ka thënë se ato mund të jenë harruar në automjet nga shoferi i tij. Ai ka pranuar gjithashtu se e njeh ish-ministrin e Brendshëm por i ka qëndruar deklarimit se paratë janë të tij dhe me to do blinte hekur te kompania “Kurum”.
Leonard Almeta është lënë i lirë nga policia dhe në emër të tij nuk është regjistruar procedim penal. Ndërsa Orest Sota është prangosur për tre akuza, atë mosbindjes ndaj urdhërit të policisë, fshehjen e të ardhurave dhe drejtimin e automjetit pa leje.