Arban Abrashi, kandidat i LDK-së për kryetar të Komunës se Prishtinës, thotë se 1.2 miliard euro do të nxiten gjatë qeverisjes së tij.Abrashi, i shoqëruar nga shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Avdullah Hoti, kanë dalë të dielën në një konferencë për medie, ku kanë kritikuar menaxhimin financiar në katër vitet e fundit nga Shpend Ahmeti dhe Vetëvendosje.
Abrashi tha se nën drejtimin e Shpend Ahmetit, Komuna e Prishtinës ka pësuar degradim dhe përgjysmim të buxhetit për investime kapitale.Ai tha se në vitin 2017, buxheti i Komunës së Prishtinës është i ulët sesa në vitin kur Ahmeti e ka marr mandatin.
Nga 141 milionë euro të planifikuara për investime kapitale në 4 vjet qeverisje, sipas tij, janë realizuar vetëm 71 milionë euro, gjegjësisht 61 milionë pasi që, sipas Abrashit, 10 milionë nga këto kanë qenë të klasifikuara si investime kapitale, ndonëse nuk kanë qenë, “sepse ka pasur vendime gjyqësore të cilat janë ekzekutuar nga buxheti i investimeve kapitale”.
“Si investime kapitale janë vetëm 61 milionë euro dhe kanë humbur 80 milionë euro. Të hyrat vetjake nga 105 milionë euro sa janë planifikuar, vetëm 80 milionë janë realizuar. Buxhetit të Komunës i kanë humbur 25 milionë euro si rezultat i neglizhencës dhe mos-angazhimit të menaxhmentit të komunës”, tha Abrashi, raporton Koha.net.
Kandidati i LDK-së për kreun e Komunës së Prishtinës, Abrashi, tha se gjatë qeverisjes së tij 4=-vjeçare, buxheti do i komunës do të dyfishohet dhe do të arrijë shifrat e rreth 500 milionë eurove.
“Ne do të sigurojmë që investimet kapitale do të arrijnë dyfishin. Do të rrisim investimet kapitale me 60%, të hyrat vetjake do t’i rrisim duke zgjeruar bazën tatimore dhe duke promovuar bizneset, ndërkohë do të ulim ngarkesën e tatimit në pronë për qytetarët e Prishtinës”, ka thënë Abrashi.
Ai tha se nëse e fiton mandatin e ardhshëm qeverisës të Prishtinës, do të forcojë bashkëpunimin me sektorin privat.“Në katër vitet e qeverisjes, ne do të nxisim diku rreth 1.2 miliard euro investime private në zonat ekonomike të cilat do t’i themelojmë në Prishtinë”, u shpreh Abrashi. (b.an)