Zbardhen detaje nga ngjarja e mbremshme ne Shkoder, ku mbeti i plagosur rende me arme zjarri nje i ri 20- vjeçar.
Ngjarja ndodhi rreth orës 19:20, kur shtetasi Hermes Beqiri mbeti i plagosur në lagjen “Guerrile”, në vendin e quajtur ish-Zooteknika.
20- vjeçari ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Në momentin e plagosjes, Hermes Beqiri ishte duke qëndruar në një lokal kur u qëllua me armë zjarri.
Policia që në fillim pati dyshime se autori është Elvis Hoxha. Sipas burimeve policore, dy të rinjtë njiheshin më përpara dhe kanë pasur një grindje të çastit për motive banale, gjë e cila solli edhe plagosjen e 20-vjeçarit.
Hoxha, pasi ka debatuar me Beqirin, ka marrë një pistoletë dhe e ka qëlluar disa herë. Hermes Beqiri ka 6 plumba në trupin e tij, pjesën më të madhe në bark dhe në kraharor. Mjekët thonë se i riu ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Me dhjetëra persona kanë mbërritur në spital për të dhënë gjak për të, pasi ka humbur një sasi të konsiderueshme pas plagosjes dhe deri në momentin kur ka mbërritur ambulanca.
Forcat e Policisë, pasi shkuan në vendin ku ndodhi plagosja, kanë ngritur disa pika kontrolli për kapjen e autorit të dyshuar. Forca të shumta policore kanë krehur zonën ku ndodhi plagosja në ish-Zooteknikë, por edhe në pjesë të tjera në lagjen “Guerrile”.
Autori i dyshuar, Elvis Hoxha, është vënë në ndjekje nga policia në fshatin Grudë ku dyshohej se është fshehur pas ngjarjes, ku edhe u arrestua. Nga ana tjetër, grupi hetimor nisi hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Fillimisht, disa persona që ndodheshin brenda lokalit ku ndodhi plagosja janë shoqëruar në komisariat për të dëshmuar mbi atë çfarë kanë parë në momentin e konfliktit të çastit mes dy të rinjve e më pas plagosjes së ndodhur. Në deklarimet e tyre, dëshmitarëve janë shprehur se nuk e kanë pasur mendjen dhe se janë larguar nga vendi i ngjarjes, pa e kuptuar se çfarë po ndodhte realisht.
a.ç