Drejtori i Policisë së Elbasanit, Altin Qato, i emëruar pas shkarkimit të kupolës drejtuese në këtë qark, ka dalë në një konferencë për mediat pas ngjarjeve të fundit në këtë qark.
Qato ka reaguar ndaj sulmeve të policisë kundër policisë lidhur me arrestimin e biznesmenit 25-vjeçar Orest Sota. Ai theksoi se policia nuk ka fshehur provat, q♪7 sipas tij i janë vënë në dispozicion prokurorisë.
“Shqetësimi mediatik për Orest Sota është i ekzagjeruar. Në mjetin e Sotës u gjetën para dhe patentat e Tahirit. Janë sekuestruar provat materiale. Të gjitha materialet janë dërguar në Prokurori, policia nuk ka fshehur asgjë. Për çdo veprim është vënë në dijeni edhe prokurori i çështjes”, ka thënë Qato.
Qato ka deklaruar se qyteti i Elbasanit ka siguri, pavarësisht se kohët e fundit kanë ndodhur disa ngjarje të cilat kanë cenuar rendin dhe sigurinë e këtij qyteti. Ai u ndal tek ngjarjet e vjetra që sipas Qatos janë prioritet.
“Elbasanin ne nuk e quajmë një qytetet që nuk ka siguri, por ka pasur disa probleme, disa ngjarje me të cilat ne po merremi. Synimi është të parandalojmë ngjarjet kriminale, por edhe për të zbardhur ngjarjet e mëparshme që kanë mbetur pa autor. Por policia e ka në kontroll situatën”.
Ngjarjet e fundit në Elbasan si goditja e automjetit të zv/drejtorit të policisë, Gjergji Oshafi nga “Audi” në pronësi të biznesmenit Petrit Çela, vuri në pikëpyetje profesionalizimin e policisë. Për këtë shkak, kryepolici Haki Çako shkarkoi të gjithë zinxhirin komandues të Drejtorisë së Policisë së Elbasanit, ndërsa komandoi në krye ish-numrin dy të Policisë së Shtetit, Altin Qato.
Akuza ndaj policisë së Elbasanit pati edhe për ngjarjen e fundit, atë të arrestimit të biznesmenit Orest Sota, 25-vjeç, i cili nuk iu bind urdhrit të patrullës së policisë. Në automjetin e të riut u gjetën 835 mijë euro, dy patenta në emër të Saimir Tahirit për drejtimin e mjeteve të lundrimit si dhe një patentë drejtimi automjeti në emër të bashkëshortes së ish-ministrit të Brendshëm.