Shtëpia e Bardhë ka aprovuar një raport të agjencive amerikane se ndryshimet klimatike kanë ardhur për shkak të njeriut. Por natyrisht kjo lëvizje bie ndesh me politikat e Presidentit Donald Trump, i cili disa muaj më parë tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja për Klimën.
Toka po përjeton përiudhën më të nxehtë të historisë së civilizimit dhe banorët e saj janë shkaku kryesor i rritjes së temperaturave që janë verifikuar nga fillimi i shekullit XX.
Kjo është konfirmuar në një raport shkencor të agjencive federale të Shteteve të Bashkuara. Lajmi është publikuar nga New York Times. Sipas kësaj media, raporti është aprovuar nga Shtëpia e Bardhë dhe natyrisht bie ndesh me qëndrimin e administratës së presidentit Donald Trump lidhur me ndryshimet klimatike.
Gjatë 115 viteve të fundit, temperaturat mesatare globale janë rritur me 1 gradë Celsius, duke shkaktuar ngjarje rekord të motit dhe temperatura ekstreme.
Tendenca globale dhe afatgjatë e ngrohjes është “e pajustifikueshme”, thotë raporti dhe “nuk ka asnjë shpjegim bindës alternativ” për ta fajësuar diçka tjetër përveç qënies njerëzore (makinat që ne i drejtojmë, centralet që prodhojnë energji, pyjet që shkatërrojmë).
Raporti vjen disa muaj pas njoftimit të Trump për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja e Parisit për Klimën. Gjithashtu kohëve të fundit, presidenti amerikan ka përkrahur një politikë liberalizimi në fushën e energjisë dhe mjedisit, duke përfshirë rivendosjen e përdorimit të qymyrit.
Në prononcimet për media lidhur më këtë çështje, Trump nënvizonte se ndryshimet klimatike nuk janë reale, madje ngrohjen globale e quan një shaka./ABCNews